FOTO - Aksioni i Policisë në veri - 28.05.2019

Aksioni i Policisë në veri, reagon presidenti Thaçi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka reaguar pas aksionit i cili po realizohet në veri të vendit dhe në disa lokacione në pjesën jugore të Kosovës.

Ai ka shprehur keqardhje për plagosjen e një polici gjatë aksionit të Policisë së Kosovës.

“Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Shpreh keqardhjen time për plagosjen e policit tonë në krye të detyrës dhe i uroj shërim sa më të shpejt”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

Ai ka thënë se të gjithë ata që do të merren me krim të organizuar do të përfundojnë në burg. Ndërsa, ka thënë se aksioni i sotëm është në të mirë të të gjithë qytetarëve të venit.

“Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave. Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah luftën kundër krimit të organizuar. Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të integrimeve euroatlantike!”, ka deklaruar ai.