Policia në veri - 28.05.2019. Foto: Kallxo.com

Aksioni i Policisë në veri, KFOR-i kërkon qetësi

Pas aksionit të Policisë së Kosovës në Zubin Potok, KFOR-i ka kërkuar që mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore. Po ashtu ka kërkuar që njerëzit të qëndrojnë të qetë për shkak se nuk ka asgjë për t’u frikësuar.

“Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR-i informon se Policia e Kosovës po kryen një operacion policor në tërë Kosovën, pas fletëarrestimeve të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës në lidhje me një hetim mbi korrupsionin.

“KFOR-i inonfirmon se kjo është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës”, vazhdon njoftimi.

Më tej thuhet se KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të intervenojë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha Komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Policia e Kosovës në një aksion i cili ka filluar mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës, ka arrestuar  disa persona nën dyshimin për krim të organizuar dhe kontrabandë.

Një zyrtar Policisë është plagosur me armë zjarri dhe tre të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë aksionit të sotëm në veri të vendit. Gjatë aksionit janë arrestuar disa zyrtarë policorë të dyshuar për përfshirje në veprime ilegale.

https://kallxo.com/detajet-e-fundit-nga-zubin-potoku-video/

https://kallxo.com/foto-policia-e-kosoves-largon-barrikadat-ne-zubin-potok/

https://kallxo.com/aksioni-i-policise-kater-zyrtare-policore-pranojne-tretman-ne-spitalin-rajonal-ne-mitrovice/

.