Aksioni i KPMM-së kundër shfrytëzimit ilegal të zhavorrit 

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale  po vazhdon aksionet në inspektimin e aktiviteteve të jashtëligjshme minerare.

Ekipi i KALLXO.com ka qenë pjesë e njërit nga aksionet e KPMM-së, i cili u zhvilluar në Cermjan të Gjakovës.

Inspektorët e KPMM-së kishin vërejtur se në atë zonë ka operues të jashtëligjshëm të cilët shfrytëzojnë rërën dhe zhavorrin.

Inspektorët e KPMM-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Komunën e Gjakovës ditë më parë kishin bërë inspektime në po të njëjtin vend, ku kishin takuar personin me inicialet K.Th., duke shfrytëzuar rërë dhe zhavorr, pa qenë i pajisur me leje për shfrytëzim.

I njëjti është arrestuar nga policia dhe është dërguar në Stacionin e Policisë në Gjakovë.

Kur inspektorët e KPMM-së disa ditë më vonë kishin shkuar për të bërë matjet, ata nuk kishin arritur të kryejnë detyrën e tyre zyrtare, pasi që operatori ilegal u kishte bllokuar rrugën duke vendosur një kamion me rërë në mes të rrugës e cila qonte në pjesën ku ishte bërë nxjerrja ilegale e rërës dhe zhavorrit.

Në herën e dytë, kur inspektorët kanë shkuar për të verifikuar nëse rruga po vazhdon të jetë ende e mbyllur, në po të njëjtin vend, operatori ilegal kishte shkarkuar edhe një kamion me rërë dhe zhavorr.

Inspektorja Selvije Kadriu tregon gjetjet në aksionin e parë.

“E kemi identifikuar një veprim ilegal, operator ilegal, dhe me identifikimin e tij ne e kemi për detyrë të kryejmë matjet, por siç po shihet matjet nuk kemi mundësi t’i bëjmë për shkak se personi fizik e ka bllokuar rrugën me rërë dhe zhavorr, kështu që na ka pamundësuar shkuarjen në vendin e ngjarjes”, tha Kadriu.

Pas këtij veprimi, inspektorët e KPMM-së, kanë kërkuar asistencë nga policia dhe një ekskavatori për të bërë hapjen e rrugës në mënyrë që të realizohen matjet për lëndën minerale e cila është shfrytëzuar.

Pas hapjes së rrugës nga eskavatori, inspektorët e KPMM-së kanë vazhduar punën e tyre për të bërë matjet e lëndës mineral të shfrytëzuar.

Inspektorja Selvije Kadriu ka treguar për KALLXO.com edhe  për gjobën e cila shqiptohet për këto veprime të jashtëligjshme.

“Gjoba e parë që lëshohet elementare është 5 mijë euro, mirëpo pastaj duhet të bëhet matja e materialit i cili është shfrytëzuar ilegalisht,  e ai material me trefishin e rentës minerare vlerësohet, do të thotë i bashkëngjitet gjobës  prej 5 mijë euro”, ka thënë ajo.