FOTO POLICIA E KOSOVËS

Aksionet e Policisë në 'lokalet e masazheve', 41 të arrestuar vetëm në 2019-ën - VIDEO

Policia e Kosovës në një konferencë për media ka publikuar të dhënat nga aksionet e inspektimit dhe arrestimit të disa personave të dyshuar lidhur me ushtrim prostitucioni në disa lokale të masazheve.

Riza Murati, nga Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenieve Njerëzore ka publikuar të dhëna rreth zbulimit të ushtrimit të veprimtarive të paligjshme në lokalet e masazheve.

“Ne kemi ndërmarrë disa aksione, nëntë në vitin 2019 me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie. Operacioni i fundi është inspektimi i vendeve ku mund të ketë raste të trafikimit të qenieve njerëzore. Kemi organizuar me inspektorët e Komunës së Prishtinës dhe Fushë Kosovës, me Ministrinë e Tregtisë, me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, rezultatet e këtij aksioni janë, inspektuar 48 lokale prej tyre 22 të mbyllura për shkak të parregullsive”, tha Murati.

Sipas tij shumica e personave të arrestuar nga këto aksione janë vajza/gra. Në disa raste sipas tij vajzat kanë qenë nën moshën 18 vjeçare.

“Gjithashtu në këto lokale kemi hasur edhe pesë persona të gjinisë femërore të cilat kanë qenë nën moshën 18 persona. Janë gjithsej 11 persona të arrestuar në tri raste të ndryshme. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë 44 persona”, ka sqaruar Murati nga Policia e Kosovës.

Adonis Tahiri, drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës tha se në disa raste kanë hasur në tendenca të personave të dyshuar për t`1i hapur lokalet e mbyllura nga inspektorët.

“Ne si Drejtori i Inspeksionit të Komunës se Prishtinës kemi marrë pjesë në aksionin e policisë me pesë ekipe të shpërndara. Janë mbyllur 22 lokale të tilla, për arsye të dokumentacionit. Përveç kësaj ata bllombohen dhe më pas gjobitën. Kemi pasur tendenca që edhe pas bllombimit këto lokale masazhi të rihapen, por pas kësaj Inspeksioni ka ngritur kallëzime penale”, tha Tahiri.

Policia e Kosovës ka prezantuar edhe një video-xhirim nga aksionet e tyre në inspektimin dhe arrestimin e disa personave të dyshuar.

“Janë dy raste në lokacionet që i pamë në pamje janë gjithsej 9 të arrestuar në tri rastet që u paraqitën me pamje. I kemi sjellë në polici i kemi intervistuar dhe më pas me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka sqaruar Riza Murati nga Policia e Kosovës.

KALLXO.com trasnmetoi live konferencën nga Policia e Kosovës – Shiko duke klikuar në LINK.