Aksion i Policisë, në Gjilan mbyllen dy ordinanca private

Dy ordinanca private në komunën e Gjilanit janë mbyllur dhe një person është arrestuar.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

“Policia në bashkëpunim me inspektorët e autoriteteve kompetente ka vazhduar me veprimet e tyre dhe deri në këtë fazë, sot me 25.03.2019, dy ordinanca janë mbyllur për “ushtrim të kunderligjshëm i veprimtarive mjekësore dhe farmaceutike””, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas forcave të rendit, aksioni i filluar tri ditë më parë rezultoi me arrestimin e një personi dhe konfiskim të dëshmive tjera relevante.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit me njësitet relevante të saj, në kuadër të implementimit të planit operativ të koduar me emrin “Ordinanca” me datë 22.03.2019, sipas urdhërit të gjykatës kompetente kishin kontrolluar katër ordinanca private të cilat ofronin shërbime shëndetësore në rajonin e Gjilanit dhe gjatë operacionit një person ishte arrestuar si dhe ishin konfiskuar dëshmi relevante për procedura të mëtejme”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas Policisë së Kosovës, hetimet po vazhdojnë edhe për rastet e tjera me autoritetet e tjera kompetente.