Aksident me traktor në Skenderaj, vdes vozitësi, lëndohet pasagjeri

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti me traktor.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti.

Sipas Zahitit, ngjarja ka ndodhur në rrugën lokale të fshatit Syriganë të Skenderajt, ndërsa viktima ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra nga aksidenti.

“Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 16:00 në rrugën lokale të fshatit Syriganë të Skenderajt. Aksidenti ka ndodhur nga pakujdesia e drejtuesit  të traktorit, i cili duke lëvizur prapa me traktor del jashtë rrugës, rrokulliset dhe si pasojë e kësaj drejtuesi i traktorit i moshës rreth 42 vjeçar merr lëndime të rënda dhe si pasojë e lëndimeve ndërron jetë në Spitalin e Rajonal të Pejës”, tha Zahiti për KALLXO.com.

Në anën tjetër përveç viktimës, në traktor gjendej edhe një person tjetër i cili ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti pas tretmanit mjekësor është liruar në shtëpi.