Akrobacionet me punësime në Drenas, Prokuroria ngrit aktakuzë

Ish- kryetari i Komunës së Drenasit Nexhat Demaku dhe ish drejtori i arsimit Sadik Tahiraj është paraparë që sot të uleshin në bankën e të akuzuarve nënë akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Procesi për shkak të koordinimit është shtyrë për datë 2 gusht ndërsa paraqet njërin nga rastet e rralla të aktakuzave të prokurorisë për çështjen e punësimeve.

Aktakuza përshkruan veprimet e komunarëve për ti garantuar një vend pune punonjëses Mimoza Berisha.

Në nëntor të vitit 2014-të punonjësja kishte nënshkruar kontratë me DKA-në pa pasur një konkurs publik. Kontrata e kishte emëruar Berishën si edukatore për parashkollorët e shkollës “Ali Gashi”. Aktakuza sqaron se akrobacionet kishin vazhduar tutje kur edukatorja ishte bartur nga vendi i punës në shkollë në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunë ku me nënshkrim të kryetarit Nexhat Demaku ajo kishte marrë aktin e emërimit. Pagat të cilat i janë paguar kësaj punëtore në një vlerë prej rreth 19 mijë euro janë vlerësuar sipas prokurorisë dëme për shtetin.

Procesi gjyqësorë për rastin pritet të vazhdoi me 2 gusht.