AKP: Dënimi për Ramiz Kelmendin ishte i paraparë në kontratë

Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi ka thënë se ELKOS, si blerës i Famipës, ka dështuar t’i përmbush obligimet kontraktuale.

“Shitjet që janë bërë me spinof special ose me kushte siç është rasti në fjalë, kontraktori ka qenë i obliguar me e mbajtë aktivitetin për një periudhë të caktuar dhe kontraktori i ka shkelur këto obligime të kontratës, prandaj edhe ne kemi ardh te një vendim i tillë”, tha ai.

Gashi ka thënë se dënimi i shqiptuar prej 1,3 milion eurove ka qenë i paraparë në kontratën e nënshkruar nga ELKOS, prandaj vendimi nuk ka asnjë prapavijë politike.

“Në rastin specifik kontrata parasheh penalizime prej 30 për qind në vlerën totale të kontratës dhe ky është penalizimi që i është shqiptuar kontraktorit në këtë rast. Nuk e besoj që e kemi mundësinë  e kthimit të ndërmarrjes”, u përgjigj Gashi.

Tha se janë sulmuar individualisht pas vendimit për të dënuar ndërmarrjen në fjalë, për shkak të siç thotë ai, nuk janë përmbushur detyrimet kontraktuale nga ana e blerësit.

“Si Bord të ju them të drejtën jemi të shqetësuar shumë për sulme individuale ndaj stafit tonë, prandaj edhe unë do të prezantoj qëndrimin e Bordit në këtë rast. Sulmet personale janë shumë shqetësuese për neve, Ju duhet ta keni parasysh që ne, Agjencia merr vendime kolektive, vendimet e tilla siç është rasti në fjalë, janë vendime të bordit, nuk janë vendime të menaxhmentit, mirëpo duhet ta keni parasysh që janë vendime të bazuara mbi informata relevante, mbi fakte, mbi monitorime”, tha ai.

Drejtori i AKP-së, Ekrem Hajdari ka thënë se pala është dashur të mbajë së paku tre vite aktivitetin e njëjtë biznesor.

“Zotim dhe obligim i palës, ka qenë mbajtja e aktivitetit së paku tri vite. Do të thotë ka qenë në diskrecion të bordit në momentin kur vendosë për lirim apo jo, se a do t’ia vazhdojë aktivitetin edhe për një periudhë tjetër, andaj në kontratë është lënë në 2011-ën me qëllim së paku tri vite. Do të thotë kjo periudhë ka mundur të vazhdojë edhe më tutje. Prandaj është dashtë me doemos të jetë edhe një dokument formal siç tha kryesuesi nga bordi për lirimin formal”, theksoi Hajdari.

Sa i përket akuzave që pronari i ELKOS-it, Ramiz Kelmendi ka bërë në drejtim të tij, Hajdari ka thënë se do të ndjek rrugën ligjore duke mos specifikuar çka konkretisht.

Vlora Konushevci, nga AKP,  ka dhënë shpjegime për kushtet e paplotësuar.

“Kushti i parë ka qenë  se do ta ruaj aktivitetin e prodhimit dhe përpunimit të metaleve nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje së paku për 3 (tri) vitet e ardhshme menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së shitjes; Është e obliguar që pajisjet dhe makineritë ekzistuese nuk do t’i çmontoj apo dislokoj, por do t’i lë në të njëjtin vend së paku për periudhën e përcaktuar tre (3) vjeçare për realizimin e kushteve  të parapara kontraktuale”, tha ajo.

Ndërmarrja “Famipa” ishte privatizuar në shtator të 2011 me vlerë prej 3 milionë e 900 mijë euro, ndërsa afati i marrëveshjes ka përfunduar me 13 shtator 2014.