AKP bart 43,2 milionë euro në buxhet të Kosovës

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar propozimin për transferim të “fondeve të mbetura” të likuidimit prej 2,2 milionë eurove në buxhetin e Kosovës si dhe propozimin për transferim të “fondeve të përkohshme” të likuidimit prej 41 milionë eurove në buxhetin e Kosovës. Pra, në total 43,2 milionë euro.

Këto mjete janë para të cilat kanë tepruar nga likuidimi i ndërmarrjeve të Kosovës.

Bordi gjithashtu ka miratuar listën e propozuar të shitjes së aseteve në likuidim nr.45 si dhe transaksionet e shitjes së aseteve në likuidim nr. 43A.

Në këtë takim u miratuan edhe Raportet për Përcaktim të Statusit si Ndërmarrje Shoqërore për “Studentcani”, “Banka e Vojvodinës” dhe “Vijak”, ku u konstatua se këto ndërmarrje bien në kompetencë të AKP-së.

Ndërsa pas shqyrtimit të Raportit për ndërmarrjen “Serbia Shume” u konstatua se kjo ndërmarrje nuk bie në kompetencë të AKP-së.

Në këtë mbledhje Bordi aprovoi edhe raportin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave në listat e 20% të punëtorëve të e NSH “Ereniku-Tregtia”.

Bordi shqyrtoi dhe miratoi qiradhëniet e aseteve të ndërmarrjes shoqërore “Jatex” në administrim direkt dhe mori gjithashtu disa vendime lidhur me qiradhënie si dhe rritjen e buxhetit të disa ndërmarrjeve shoqërore ne likuidim.