AKMP mohon arrestimin e zyrtarit të saj

Mëngjesin e sotëm, policia ka njoftuar përmes raportit ditor se një zyrtar i Agjencisë Kosovare për Produkte Mjekësore, është arrestuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas policisë arrestimi është bërë gjatë ditës së djeshme.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion gjegjësisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit, pas një pune operative ka bërë intervistimin dhe më pas arrestimin e të dyshuarit  mashkull K/Shqiptar (zyrtar ne AKPM-ne). Me vendimin e prokurorit, i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes”, thuhet në raportin policor.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorin e AKPM-së, Sejdë Tolaj, i cili ka mohuar se ndonjë nga zyrtarët e tij të jetë arrestuar.

“Ne u njoftuam nga mediat që është arrestuar një zyrtar i AKPM-së. Unë personalisht dhe stafi i AKPM-së nuk po e dimë se kush është ky zyrtar i arrestuar i AKPM-së. Mediat janë arsyetuar se ju ka ardhur një raport nga policia në lidhje me arrestimin e zyrtarit të AKMP. Kaq di më shumë nuk di”, tha Tolaj.

Ai shtoi se të gjithë zyrtarët e AKMP-së janë në punë përveç atyre të cilët janë në pushime vjetore.