Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë. Foto: Facebook

AKK Detyron Ministrin të Heqë Dorë nga ‘Bon Vivant’ dhe ‘Tranquille’

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) përmes një vendimi ka detyruar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli të heqë dorë nga menaxhimi i dy bizneseve private “Bon Vivant” dhe “Tranquille” për shkak se kjo paraqet konflit të mundshëm interesi në bazë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

AKK e ka njoftuar Uran Ismajlin përmes një shkrese zyrtare se kanë filluar procedurat e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit.

“Ismajli është pajtuar me gjendjen, por është arsyetuar se nuk ka qenë i informuar, por ka deklaruar se do të veprojë sipas ligjit në fuqi për të parandaluar situatën e mundshme të konfliktit të interesit duke sjellë dëshmi se nuk do të figurojë si person i autorizuar në këto biznese”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli më pas ka dërguar në AKK dokumentet e lëshuara nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) me të cilat dëshmohet se nuk figuron më si person i autorizuar në bizneset private “Bon Vivant” dhe “Tranquille”.

Me këtë veprim, sipas AKK-së, ministri ka shmangur gjendjen e mundshme e konfliktit të interesit.

KALLXO.com shkroi sot se edhe deputeti Labinot Tahiri ka hequr dorë nga dy lokale, i detyruar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.