Ndërtesa e AKI. Foto: Kallxo.com

AKI sheh ‘tendenca për destabilizim të situatës në Kosovë’ nga ana e Serbisë

Dy orë ka zgjatur raportimi i drejtorit të Agjencionit Kosovar për Inteligjencë (AKI), Shpend Maxhuni, para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Kryetari i Komisionit, Faton Topalli, ka treguar se për çka është diskutuar brenda komisionit.

Topalli tha se si pikë kryesore është diskutuar gjendja e sigurisë në Kosovë e cila, siç tha ai, është stabile por ka përpjekje të destabilizimit të sigurisë nga ana e diplomacisë së shtetit serb.

“Ky takim hyn në mbledhjet e rregulla të planifikuara te drejtorit të AKI-se. Kemi diskutuar sigurinë në Kosovë. Sipas raporteve të drejtorit, gjendja e sigurisë në Kosovë është bukur stabile por ka tendenca për destabilizim. AKI ka informuar Presidentin dhe Kryeministrin”, tha Topalli.

“Informacionet për përpjekjet për destabilizim janë edhe publike nëse i shkojmë me vëmendje veprimet e Republikës se Serbisë. AKI ka për detyrë të raportojë te kryeministri dhe tek kryetari i vendit por edhe komisionit. Natyrisht tendencat e tilla të Serbisë janë evidente dhe të dukshme”, shtoi ai.

Topalli u pyet edhe për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq një vit më parë, një operacion i cili ishte drejtuar nga AKI.

“Edhe për këtë çështje është pyetur, është thënë se lidhur me detyrat dhe kompetencat që ka AKI nuk ka shkelje”, shtoi Topalli.