Robert Elsie. Foto: Facebook

Akademia e Shkencave dhe Arteve Nderon Anëtarin e Saj, Robert Elsie

Sot në moshën 67 u nda nga jeta albanologu kanadez Robert Elsie.

Ai ishte studiues i letrave shqipe, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Robert Elsie-t, njërit nga albanologët më të shquar të kohës sonë, studiues i gjuhës, i letërsisë, i historisë dhe të traditës shqiptare, përkthyes, hulumtues arkivash dhe dokumentesh të hershme, nga ato gjuhësore, historike, deri te zhvillimet më të reja të artit dhe të letërsisë sonë”, thuhet në komunikatën e AShAK për vdekjen e Robert Elsie.

I lindur në Vankuver të Kanadasë në vitin 1950, Elsie u njoh shumë herët me shqipen dhe me kulturën shqiptare dhe ia përkushtoi gjithë jetën thesareve të saj.

“I konsideruar si një nga penat më aktive të përhapjes së kulturës dhe të trashëgimisë sonë në botë, veprimtaria e tij, e gjerë dhe e gjithanshme, është shtrirë në disa gjuhë botërore të cilat i zotëronte ai si një poliglot i vërtetë”, thuhet në komunikatën e AShAK.

Elsie ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që nga viti 2000.

AShAK duke konsideruar humbjen e tij të pazëvendësueshme, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta anëtarëve të familjes Elsie, miqve dhe dashamirëve të tij të shumtë në të gjitha trojet shqiptare.

Më 4 tetor, ASHAK do të mbajë edhe një mbledhje përkujtimore në mjediset e Akademisë në kujtim të albanologut dhe studiuesit të gjuhës, letërsisë e historisë shqipe.

Keqardhje për vdekjen e Elsie ka shprehur edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai e ka cilësuar Elsie si një nga mendjet më të ndritura albanologjike, i cili sipas presidentit afirmoi kulturën dhe letërsinë shqipe.

“Me keqardhje mora lajmin për vdekjen e albanologut të njohur kanadez, Robert Elsiet. U shua një nga mendjet më të ndritura albanologjike. Robert Elsie ka lënë një trashëgimi të pasur si historian i letërsisë. Ai, me shumë studime dhe libra, e afirmoi kulturën dhe letërsinë shqipe në përmasa botërore. U prehtë në paqe! HTH”, ka shkruar Thaçi.

Vitin e kaluar, Robert Elsie dha një intervistë për Prishtina Insight në të cilën foli për veprën studimet e tij në fushën e albanologjisë.

Elsie: Studimet Shqiptare – Një ‘Temë Hirusheje’