Akademia përkujtimore për dëshmorët, Afrim Hajrizi e Sami Gashi - Foto: KALLXO.com

Akademi përkujtimore për dëshmorët Afrim Hajrizi dhe Sami Gashi

Në Mitrovicë është mbajtur akademi përkujtimore në 20-vjetorin e rënies së dëshmorëve Afrim Hajrizi dhe Sami Gashi.

Në akademinë e mbajtur nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, një fjalë rasti ka mbajtur zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

Hoxhaj tha se 20 janari është një ngjarje e rëndësishme për Mitrovicën dhe gjithë kombin shqiptar.

“Ne sot jemi mbledhur pas 20 vitesh që ta shënojmë këtë ngjarje shumë të rëndësishme për kombin tonë, dhe vepra e dëshmorëve Afrim Hajrizi dhe Sami Gashi është dëshmia më e mirë e sakrificës dhe e veprës. Falë veprës së tyre ne kemi pasur mundësi të krijojmë ushtrinë tonë… Të rralla janë luftërat si ajo e UÇK-së e cila ka prodhuar një shtet të ri shqiptar”, tha Enver Hoxhaj.

“Prandaj kur e kemi parasysh këtë kontribut të heronjve të kombit duhet ta dimë sa e vështirë ka qenë qëndrimi jonë dhe qëndrueshmëria jonë”, shtoi zëvendëskryeministri.

Sipas tij, Afrimi dhe Samiu janë shembulli më i mirë i mosdorëzimit.

“Duke e nderuar veprën e tyrë ne e dimë që do të bëjmë shumë më shumë edhe për familjet e dëshmorëve”, theksoi Hoxhaj.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ndërsa, Gani Lahu, ish-komandant i Bataljonit të Dytë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, tha se vitet dhe shekujt kalojn por kujtimet për dëshmorët e kombit mbetet prore i freskët, në mendjet, zemrat dhe në kujtesën tonë.

“Duke nderuar kujtimin për dëshmorët tonë Afrim Hajrizi dhe Sami Gashi ne nderojmë popullin tonë heroik dhe atdheun e lavdishëm”, ka thënë ai.

Në fund u ndanë mirënjohje për familjet e dëshmorëve Afrim Hajrizi dhe Sami Gashi.

Po ashtu, me mirënjohje për kontributin e dhënë gjatë luftës u nderuan Enver Oruçi, Gani Lahu, Bekim Shyti, Gani Gashi, Roland Bartezko e Halit Berani.