Ajri në Gjilan - Foto: KALLXO.com

Ajri në Gjilan, me i ndotur se në Prishtinë

Sipas matjeve të ekipit të KALLXO.com sot në Gjilan cilësia e ajrit arrin nivele të ndotjes që konsiderohen si “të pashëndetshme”.

Nga matjet që janë bërë në ora 15:00 në qendër të Gjilanit, ndotja e ajrit ka arritur në 161 shkallë.

Sipas indeksit te cilësisë së ajrit, ndotja në këtë shkallë konsiderohet e pashëndetshme.

Ndërsa në Prishtinë, sipas matjes së Ambasadës amerikane , aktualisht, niveli i ndotjes është ‘I pashëndetshëm për grupe të ndjeshme’.

Në vendin ku është Ambasada amerikane në Prishtinë, monitori i ajrit tregon se shkalla e ndotjes është 114.

Po ashtu, janë edhe dy matës tjerë të ajrit në Prishtinë që i ushqejnë të dhënat në faqen e internetit AirVisual, ai në lagjen Aktash që matet nga kompania 3CIS, i cili po tregon se shkalla e ndotjes në këtë lagje arrin nivelin 80, përgjysmë me i ulët sesa në Gjilan.

Ndërsa matjet e bëra nga organizata ‘BONEVET’, që është e stacionuar afër Stacionit të Trenave, arrin në 90 shkallë.

Sipas Indeksit të Kualitetit te Ajrit, kur ajri është mes 150-200 shkallë, konsiderohet ‘i pashëndetshëm’ (unhealthy), sidomos për grupet e ndjeshme të qytetarëve.

Personat me sëmundje të mushkërive, të zemrës, të moshuarit dhe fëmijët janë më të rrezikuar nëse janë të ekspozuar dhe rekomandohet t’u shmangen aktiviteteve në ambiente të jashtme.

Gjithashtu, rekomandohet që edhe njerëzit e tjerë të shmangin aktivitete të rënda dhe të gjata në ambiente të jashtme.