Fushë Kosovë - Ajri_Foto - KALLXO

Ajri në Fushë Kosovë i ngjashëm me Prishtinën

Sipas matjeve të ekipit të KALLXO.com rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, pranë objektit të Komunës së Fushë Kosovës, ndotja e ajrit ka arritur në 122 shkallë.

Sipas indeksit të cilësisë së ajrit, ndotja në këtë shkallë konsiderohet e pashëndetshme për grupet e ndjeshme.

Ndërsa në Prishtinë, sipas matjes së Ambasadës Amerikane, aktualisht, niveli i ndotjes është ‘mesatar’ me shkallë të ndotjes 99,  megjithëse kjo shkallë është shumë afër kufirit që të klasifikohet si ‘pashëndetshme për grupet sensitive’.

Po ashtu, vlerat e dy matësve tjerë të ajrit në Prishtinë të publikuara në ueb-faqen ‘AirVisual’, ai në lagjen ‘Aktash’ që matet nga kompania 3CIS, tregon se niveli i ndotjes në këtë lagje arrin shkallën 134, e cila konsiderohet si e ‘pashëndetshme për grupet sensitive’.

Gjithashtu matjet e bëra nga organizata ‘BONEVET’, që është e stacionuar afër stacionit të trenave, tregon nivel të ngjashëm të ndotjes – 124 shkallë.

Sipas Indeksit të Kualitetit të Ajrit, kur ajri është mes 101-150 shkallë, konsiderohet ‘i pashëndetshëm për grupet e ndjeshme’ (unhealthy for sensitive groups).

Personat me sëmundje të mushkërive, të zemrës, të moshuarit dhe fëmijët janë më të rrezikuarit nëse janë të ekspozuar dhe rekomandohet që t`i shmangen aktiviteteve në ambiente të jashtme.

Cilësia e ajrit në Fushë Kosovë – 25.02.2019 – FOTO KALLXO