Foto: KALLXO.com

Ahmeti: Vizita e Putinit në Serbi, urgjencë për demokratizimin e Ballkanit

Kryesuesi i ekipit negociator në dialogun Kosovë-Serbi njëherësh edhe kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka komentuar vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin në Serbi.

Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha se vizita e sotme e tij është dëshmi se në Ballkan ka nevojë urgjente për demokratizim.

“Vizita e sotme e Presidentit rus Vlladimir Putin në Beograd e shpërfaq më së miri nevojën urgjente të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor. Glorifikimi i regjimeve autoritare nga Serbia shtetërore e cila po përballet po ashtu me protesta masive qytetare kundër autoritarizmit po dëshmon se rajoni, e sidomos Serbia, duhet t’i jepë urgjentisht përparësi demokratizimit të saj dhe vlerave universale për të drejtat e njeriut”, ka shkruar Ahmeti.

Ai tutje thotë se Bashkimi Europian nuk duhet të jetë synim vetëm se për investime dhe për zhvillim ekonomik, por “sidomos për vlerat e saj për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut”.

“Fryma dominuese shoqërore dhe deklaratat e krerëve të Republikës së Serbisë lidhur me vizitën e Presidentit rus Vlladimir Putin në Beograd vërtetojnë edhe më shumë se njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe integrimi euro-atlantik, të përfshira në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, janë jo vetëm kushte të domosdoshme për marrëveshjen eventuale midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe garanca për paqen e demokracinë në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin evropian”, ka shtuar Ahmeti.

Sipas tij, pas normalizimit të marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Greqisë, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është një shans për një rajon të nesërm të paqëtuar, të demokratizuar dhe të zhvilluar.

“Për një realitet tjetër nga atë që po e shohim sot në Beograd”, ka deklaruar Ahmeti.