Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti - Foto: Facebook

Ahmeti: Qytetarët nuk duhet ta paguajnë dënimin e të korruptuarve

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se Kosova do ta marrë sot rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave.

“Pa marrë parasysh kriterin e fundit, Kosova meriton të mos jetë e izoluar dhe të jetë e barabartë me shtetet e tjera të Ballkanit. Qytetarët nuk duhet ta paguajnë dënimin e të korruptuarve. Ata duhet të paguajnë dënimin vetë dhe për këtë duhet të luftojmë të gjithë.”

Më tej Ahmeti ka thënë se marrja e rekomandimit pozitiv nga Komisioni Europian nuk është fundi i procesit të liberalizimit të vizave.

“Duhet ta kemi parasysh që kjo nuk është fundi i procesit. Parlamenti Europian është shumë pozitiv për liberalizim, por beteja më e madhe do te zhvillohet në Këshillin e Ministrave në vjeshtë kur për shkak të krizave me refugjatë dhe zgjedhjeve për PE shtetet janë tepër skeptike”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ai ka thënë se vizat duhet të liberalizohen sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë.

“Të gjithë duhet të punojmë në lobim, jo për t’i dhënë kredite kësaj qeverie që duhet të largohet sa më shpejtë, por për t’i dhënë mundësi Kosovës të ndihet më e lirë dhe më e barabartë”, ka përfunduar Ahmeti.

Komisioneri i BE-së për Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, ka paralajmëruar sot një konferencë për media në orën 16 e 30. Përkrah tij, do të jetë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në këtë ngjarje pritet të jepet lajmi që Kosova ka përmbushur kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave.