Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës

Ahmeti: Pres të takohem me Mustafën dhe Kurtin për rrëzimin e Qeverisë

Ish-kryesuesi i Ekipit negociator për dialogun me Serbinë dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ka thënë se javën e ardhshme do t’i ftojë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së për të folur në lidhje me rrëzimin e Qeverisë.

“Unë javën e ardhshme dua t’i bëj ftesë Albin Kurtit dhe Isa Mustafës për të rrëzuar Qeverinë nëse e kanë përnime”, ka thënë Ahmeti në emisionin “Debat Plus” në televizionin Dukagjini.

Sa i përket numrit të votave për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj ai ka thënë se mund të bëhen bashkë LVV, LDK dhe PSD por pa listën serbe.

“Me listën serbe i kemi por nuk duam me ta për shkak se jemi në një luftë tregtare”, ka thënë Ahmeti.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ka thënë se ka mundësi me i gjet 4 deputetë në koalicionin qeveritar për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“A ka shku naj kush me i thonë Nismës hajde me rrëzu Qeverinë. Unë i thashë z.Mustafa hajde i ndajmë përgjegjësisë se dikush e njeh dikë më mirë. Këtu nevojitet një koordinim opozitar”, ka deklaruar Ahmeti në televizionin Dukagjini.

Sipas Ahmetit, Nisma nuk ka interes të madh politik të qëndrojë në këtë Qeveri.

“Aleanca nuk e rrëzon veten. PDK nuk është e interesuar se do të kishte inicuar rrëzimin e Qeverisë si herën e kaluar”, ka thënë Ahmeti.