Foto: KALLXO.com

Ahmeti: Duhet me çdo kusht ta ndalojmë vendimin e dëmshëm për importimin e veturave të vjetra

Kryetari i Prishtinës dhe i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas vendimit të Komisionit parlamentar për ndryshimin e Ligjit për automjetet, i cili parasheh mundësinë e importimit të veturave të vjetra deri në 15 vjet.

Ahmeti ka thënë se makinat janë një nga ndotësit më të mëdhenj dhe kryesor në Prishtinë ndërsa Komisioni ka vepruar ndryshe duke bërë që të bien në kundërshtim me zotimet për të luftuar ndotjen.

“Një prej ndotësve kryesorë në Prishtinë janë makinat. Vendimi i komisionit parlamentar për ta rekomanduar ndryshimin e ligjit për importimin e automjeteve duke lejuar importimin e makinave që janë 15 vite të vjetra shkon në kundërshtim me zotimet se do ta luftojmë ndotjen. Ngritja e zërit vetëm kur ballafaqohemi me pasojat e asnjëherë me shkakun është e pamjaftueshme. Duhet që me cdo kusht ta ndalojmë këtë vendim të dëmshëm për shëndetin tone”, ka shkruar Ahmeti.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur takimi i Komisionit për buxhet dhe financa, ku u diskutua në lidhje me importin e veturave të vjetra.

Anëtari i këtij Komisioni, Naser Osmani (LDK), u shpreh kundër plotësim ndryshimit të Ligjit për Automjete, që parasheh lejimin e importit të veturave më të vjetra se 15 vjet.

Anëtari Mërgim Lushtaku nga PDK tha se iniciativa e marrë nga ai ka për qëllim t’u dalë në ndihmë qytetarëve të cilët, sipas tij, nuk kanë mundësi financiare të blejnë vetura të reja.

Në rrjedhë të debatit, Komisioni i kaloi dy propozime, me kërkesë të kryetarit Lumir Abdixhiku.

Propozimi i parë është që Projektligji nuk ka implikime buxhetore dhe i dyti që Komisioni nuk e përkrahë amendamentin 1 ku është përcaktuar vjetërsia e automjeteve deri në 15 vjet.

Një vendim i tillë u kundërshtua nga nënkryetarja e Komisionit, Safete Hadërgjonaj (PDK) e cila kritikoi Abdixhikun për hedhjen në votim të propozimeve.