Ahmeti: Deri ta rrëzojmë qeverinë do të bashkëpunojmë me të si komunë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti priti sot në takim kryeministrin Ramush Haradinaj.

Shpend Ahmeti që është njëkohësisht udhëheqës i partisë opozitare Partia Socialdemokrate tha se do të bashkëpunojnë me qeverinë në kuadër të udhëheqjes komunale.

Së bashku, Ahmeti dhe Haradinaj folën për projektet komunale që po bëhen në bashkëpunim me qeverinë.

“Këtë jave besojmë që do të regjistrohet si ndermarrje komunale Pallati i rinise. Salla koncertale e shohim si trashegimi të vlefshme. 11 prej 15 mln euro grand parashikohet të ndertohet kjo sallë pasi skemi salle koncentale. Unaza e Prishtinës po vazhdon sipas planit. Ligji për kryeqyetetin dhe pallatin e rinisë, i kemi kaluar problemet që janë që prej 10 vitesh për këto dy tema”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se qeveria dhe Komuna nuk duhet të shihen si armiq po bashkëpunëtorë.

“Ne si PSD nuk kemi ndërruar qëndrim, derisa ta rrëzojmë Qeverinë do të bashkëpunojmë me të si komunë.Fakti që ne i kemi dhënë 12 nënshkrime për rrëzimin e qeverisë, mendoj që nuk pajtohemi me plot politika të kësaj qeverie. Megjithatë sot, kryeministri është kryeministër i Republikës së Kosovës dhe ka vizituar edhe komuna që janë të partive politike opozitare.Derisa të rrëzojmë, e kemi kryeministër dhe unë si kryetar i kryeqytetit do të vazhdojmë bashkëpunimin dhe do të mundohemi t’i korrigjojmë vendimet e qeverisë me të cilat nuk pajtohemi”, tha i pari i Prishtinës.

Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj tha se komunave do të ju ndihmojnë pa marrë parasysh se cila parti e ka udhëheqjen.

“Unë si kryetar i qeverisë pa asnjë kusht jemi shprehur që do të perkrahim tema që ka komuna, pa marrë parasysh se cilave parti u përkasim. Ska ndryshuar asgjë në këtë raport, ka të bëjë me obligimet. Të gjitha këto tema, si produkte si qeveri i kemi kryer, po ka punë në zbatim të tyre. Por ka përgjegjësi qe duhet ministritë ti marrin. Ka ende punë për ne”, tha Haradinaj