Ahmet Isufi kërkon diçka që Ramush Haradinaj e kishte premtuar në fushatë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të bëhet një zgjidhje për banorët e Luginës së Preshevës, të cilët jetojnë në vendin Kosovë. Ai ka thënë se këta qytetarë janë lënë anash si në pajisje me dokumentacion, si në punë dhe shërbime të tjera.

“Në çdo shtet, nëse një banor jeton për 5 vite i mundësohet shtetësia, i mundësohet të jetë i barabartë në atë vend ndërsa bashkëkombësit tanë gati për 20 vite nuk gëzojnë kurrfarë statusi, në një farë mënyrë jetojnë ilegalisht në Kosovë pa ju dhënë e drejta as në punë dhe as në çështje të tjera që janë jetësore për ta”, tha Isufi.

Ai kërkoi që shteti i Kosovës të ketë lehtësira sidomos për ata qytetarë të Kosovës Lindore të cilët janë të përndjekur nga Serbia.

“Vërtetë është e patolerueshme që këta banorë të terrorizohen në këtë mënyrë duke mos pas të drejtë as në dokumente por as në punë, dhe shërbime tjera që i ka obligim ky shtet”, tha Isufi.

Në maj të vitit të kaluar, gjatë një tubimi parazgjedhor në Gjilan, kryetari i AAK-së, Ramush haradinaj, që tash mban postin e kryeministrit të vendit, kishte premtuar shtetësi për shqiptarët e tri komunave nga jugu i Serbisë, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

https://kallxo.com/haradinaj-u-premton-shqiptareve-te-lugines-shtetesine-e-kosoves/