AGK publikon raportin për shpenzimet e institucioneve për informim publik - Foto: AGK/Facebook

AGK: Institucionet Shpenzuan Mbi 800 Mijë Euro për Informimin Publik

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, AGK, ka publikuar sot raportin rreth shpenzimeve financiare të institucioneve shtetërore për informim publik gjatë vitit 2016.

Sipas hulumtimit të AGK-së, shuma e përgjithshme e shpenzuar nga institucionet për informim publik, përfshirë subvencionet dhe grantet për media, është 812,130,36 euro.

Drejtori i AGK-së, Arben Salihu, tha se arsyeja e inicimit të hulumtimit të titulluar “Paraja publike e shpenzuar në media” ka qenë e mbështetur në perceptimin publik se disa media janë në funksion të agjendës shtetërore.

“Ky perceptim ka ardhur edhe prej ndryshueshmërisë së informatave gjatë raportimeve që kanë qenë prej mediave të ndryshme por për të njëjtën çështje”, tha Salihu.

Të gjeturat e hulumtimit tregojnë se Komuna e Ferizajt del të jetë komuna e cila ka shpenzuar më së shumti për informim publik në vitin 2016, gjithsej 106,280,00 euro.

Ndërsa komuna e cila nuk ka shpenzuar fare për informim publik është Komuna e Kaçanikut.

Ndërsa institucionet e nivelit qendror kanë shpenzuar duke dhënë subvencione apo grante për media në total 438,968,69 euro.

Numri i mediave që kanë përfituar nga institucionet qendrore është mbi 50.

Institucioni qendror që ka shpenzuar më së shumti mjete financiare për publikime dhe grante për vitin 2016 është Zyra e Kryeministrit me 189.545.00 euro.

Ndërsa ministria që ka shpenzuar më pak për informim publik është Ministria për Kthim dhe Komunitete me vetëm 200 euro të shpenzuara.

Institucionet e pushtetit lokal dhe atij qendror për informim publik në vitin 2016 kanë shpenzuar së bashku përafërsisht 624,130,36 euro, duke ia shtuar kësaj edhe 188 mijë euro grante të dhëna nga Zyra e Kryeministrit.

AGK ka rekomanduar që institucionet të bëjnë kategorizim më të qartë të të gjitha shpenzimeve për informim publik, duke përfshirë këtu edhe dhënien e subvencioneve ose granteve për mediat, çdo kontratë e lidhur ndërmjet institucionit dhe mediave me qëllim të informimit të publikut dhe që ato të publikohen në faqen e KRPP-së.