Agjencia e Udhëhequr nga Ramë Manaj Injoron Jahjagën, por jo edhe Thaçin

Për pesë vjet sa ishte Presidente, edhe pse obligim ligjor, fotografia e Atifete Jahjagës nuk ka qenë e vendosur në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Arkivave. Por, ndryshe ka ndodhur me Presidentin e tanishëm Hashim Thaçi. Agjencia e udhëhequr nga Ramë Manaj ka vendosur të blejë korniza me fotografi të Presidentit Hashim Thaçi. Manaj kishte qenë zëvendëskryeministër në qeverinë e Thaçit, në periudhën 2008-2011.

Mbajtja e fotografisë së Presidentit në institucione është obligim ligjor. Ligji për Protokollin e Shtetit thotë se fotografitë e Presidentit duhen të vendosen në institucionet lokale dhe qendrore.

Në pikën 3 të nenit 20 të këtij ligji thuhet se “Obligohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Përmasat minimale duhet të jenë 40 – 60 cm”.

Në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës do të vendosen 11 fotografi me kornizë të Presidentit Hashim Thaçi.  Por, kjo agjenci nuk e kishte zbatuar ligjin e protokollit, duke mos i vendosur fotografit e Presidentes Atifete Jahjaga, përkundër që ajo kishte shërbyer për 5 vjet si Presidente e Kosovës.

Në përgjigjet e marra nga kjo agjenci thuhet se “nuk ka pasur fotografi të Presidentes Jahjaga” dhe se tash “do të vendosen 11 fotografi të Presidentit [Thaçi]”.

E në pyetjen shtesë se pse nuk ka qenë e vendosur fotografia e Jahjagës në 5 vjetët e kaluar, Ejup Emini, menaxher i Zyrës së Prokurimit thotë se “nuk mund të përgjigjem sepse kjo nuk është kompetencë e imja”. Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe kabinetin e kryeshefit, por ata nuk na kanë dhënë adresë se ku mund të marrim përgjigje, ngase sipas asistentes “nuk ka zyrë për media dhe duhet të thirrni nesër”.

Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës, publikuar në KRPP, për 11 fotografi kjo agjenci do të paguajë 275 euro. Ose thënë ndryshe 25 euro për një fotografi në kornizë.

Vetëm një muaj më parë për një fotografi Universiteti Publik “Haxhi Zeka” ka shpenzuar 29,4 euro për blerjen e kornizës së fotografisë së Presidentit, e Komuna e Klinës e ka blerë një fotografi në kornizë të Thaçit për 17,5 euro.

Komuna e Klinës nuk kishte treguar se ku do të vendosën 100 fotot në kornizë të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërsa 17 fotografitë në Universitetin “Haxhi Zeka” – Pejë  ishin paraparë të vendosen në të të gjitha zyrat e nivelit drejtues dhe të lartë drejtues në këtë universitet, duke përfshirë këtu menaxhmentin, dekanët, drejtorët e departamenteve dhe udhëheqësit e njësive akademike nga ana e administratës dhe sallat e organeve vendimmarrëse të universitetit.

Pyetjes së Gazetës JNK se ku do të vendosen 11 fotografitë e Agjencisë së Arkivave, kjo agjenci i është përgjigjur me fjalët  se “një do të jetë ne zyrën e kryeshefit, nga një në 4 zyrat e departamenteve të arkivit dhe nga një në 6 arkivat ndërkomunale”.

Fotografitë e Shtrenjta të Presidentit Thaçi