Agim Bahtiri takohet me Sali Berishën

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, është takuar në Tiranë me ish presidentin dhe ish kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, me të cilin ka biseduar për situatën në Mitrovicë dhe për zhvillimet e fundit në vend.

Bahtiri në llogarinë tij në Facebook ka shkruar se “ishte dakordim i përbashkët se integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa prekshëm dhe i shenjtë për të gjithë shqiptarët, ani pse është mjerim i madh të shikosh se si Vuçiq idenë e tij e të Serbisë për gllabërimin territorit të Kosovës, po e shet tek njerëz të caktuar në Prishtinë, edhe pse të gjithë shqiptarët e dinë se Serbia nuk ka në Kosovë as edhe një metër tokë të saj”.

Bahtiri tha se angazhimi i Berishës lidhur më zhvillimet e fundit lidhur me Kosovën, është kontribut për paqe në Ballkan.

“Prandaj pata nderin të bisedoj me një njeri shumë të çmuar, politikanin më të njohur e të shquar shqiptar, siç është Berisha. Biseduam për Mitrovicën dhe për çështjet madhore të Kosovës e të shqiptarëve. Gjeta mbështetjen e fuqishme tek Berisha për qëndrimet e mia lidhur me Mitrovicën dhe zhvillimet e fundit, përkatësisht për mos lejimin e humbjes të asnjë pëllëmbe të territorit të Kosovës. Berisha është fuqimisht i përkushtuar për paqe në Kosovë dhe në Ballkan. Unë e falënderoj shumë për mbështetjen që më dha dhe për interesimin e tij të vazhdueshëm për Mitrovicën, Kosovën dhe çështjen kombëtare”, ka shkruar Agim Bahtiri në Facebook.