Agim Bahtiri - Foto: Facebook

Agim Bahtiri mbështet kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës Veriore

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i ka dhënë mbështetje të plotë kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore.

Pas një takimi të zhvilluar sot, Bahtiri e ka siguruar Erden Atiqin për përkrahjen e tij dhe të AKR-së në betejën për kryetar të Mitrovicës Veriore.

Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të veriut të vendit do të mbahen më 19 maj.

“Besoj që do të jetë zë i fuqishëm dhe person i denjë për t’i quar proceset përpara në të mirë të të gjithë qytetarëve që jetojnë në pjesë veriore të qytetit të Mitrovicës”, ka thënë Agim Bahtiri për Erden Atiqin.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Agim Bahtiri është shprehur i dëshpëruar me drejtuesit e shtetit të Kosovës, të cilët, sipas tij, e tradhtuan në pikësynimin e tij për bashkimin e qytetit.

https://kallxo.com/bahtiri-beson-se-me-peticion-do-ta-bashkoje-mitrovicen/

“Duke e parë situatën aktuale në Mitrovicë jam i dëshpëruar me drejtuesit e shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët më tradhëtuan në pikësynimin tim për bashkimin e qytetit, ku vetëm më përkrahën moralisht derisa e dorëzova peticionin dhe më pas heshtën e nuk vepruan për ta dërguar këtë iniciativë ligjore në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë kryetari i Mitrovicës Jugore.

Sipas Bahtirit, sikur të ishte mbajtur premtimi nga Presidenca dhe Kuvendi, sot nuk do të kishte nevojë të shpalleshin zgjedhjet në këtë komunë, por do të ishin shpallur për një komunë të përbashkët, ku do të kandidonte edhe ai vetë për kryetar.

“Më vjen keq që sot disa udhëheqës shtetëror dalin me komunikata se janë për bashkimin e Mitrovicë, sepse ata asnjëherë nuk dëshmuan që janë për bashkimin e qytetit. Të njëjtit nuk kanë nevojë të dalin nëpër media, por nëse duan bashkimin e qytetit të Mitrovicë le ta dërgojnë në Kuvend peticionin që e kam dorëzuar unë dhe kështu të kalojnë nga fjalët e tyre boshe në vepra. Prandaj, kërkoj nga Kadri Veseli që ta bënë këtë veprim ose le të mos flet”, ka shkruar ai.