Foto: Komuna e Mitrovicës

Agim Bahtiri insiston që bizneset të mos punojnë të dielave

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar që e diela të jetë ditë pushimi për të gjithë punëtorët e sektorit privat në këtë komunë.

Këtë Bahtiri e ka kërkuar më rastin e mbajtjes së mbledhjes së Bordit të Drejtorëve

Me këtë rast drejtori i Inspeksionit Hysni Ahmeti njoftoi bordin se është duke u punuar për respektimin e orarit të punës të subjekteve afariste, ku me këtë rast kanë ndërmarrë aksion për mbylljen e lokaleve të cilat nuk e respektojnë orarin e punës sipas Rregullores komunale Nr. 03/2014 dhe mbylljen e lojërave të fatit të cilat zhvillojnë veprimtaritë e tyre pa licencë.

Nga ky aksion sipas Ahmetit  gjatë vikendit janë mbyllur gjithsej 20 biznese, 3 mega markete të mëdha, 2 barnatore, 15 bastore dhe 2 kazino. Ai më tutje ka thënë  se ky aksion do të vazhdojë edhe ne ditët e ardhshme derisa të zbatohet Rregullorja komunale në fuqi.

Bahtiri ka lavdëruar punën e drejtorit të Inspeksionit, Hysni Ahmeti, duke ofruar mbështetjen e tij të plotë që komuna e Mitrovicës të funksionoj me rregulla evropiane ku dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjithë.

Po ashtu në këtë mbledhje, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, njoftoi ekzekutivin lidhur me Panairin e Punës i cili në Mitrovicë do të mbahet më datën 12 prill 2019 në sallën e sporteve “Minatori”, ku tha se Panairi do të organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Zyrës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe nga ana e komunës do të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme për një organizim sa më të mirë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për aksionet e Drejtori së Inspeksionit në Mitrovicë.

https://kallxo.com/mitrovice-mbyllen-dyqanet-qe-nuk-e-zbatojne-orarin-e-punes/

https://kallxo.com/mbyllen-dy-barnatore-dhe-nje-kazino-ne-mitrovice/