Mensur-Safqiu_004_web

‘Aga Sheqë’ nuk do pranonte dekoratë nga Presidenti

‘Prishtina Insight’ është ulur për të folur me Mensur Safçiun, njërin nga protagonistët e treshes ‘Stupcat’që për 17 vjet ka shpotitur në mënyrën e vet realitetin socio-politik në Kosovë.

“Pse je aq i tensionuar Mensur?” e pyet kamerieri.

Për një moment, Mensur Safçiu largohet nga rrëfimi i një historie tragjike për ta ngacmuar kamarierin serb.

“Po u kallxoj djemve se si na rrihnit gjatë viteve ’90”, – i përgjigjet ai me një serbishte të rrjedhshme.

E tërë tavolina shpërthen në të qeshura, duke përfshirë edhe njeriun në të pesëdhjetat e tij i cili po shërbente raki në një restorant vetëm pak kilometra nga qyteti i Shtërpcës – një qytet në jug të Kosovës, i banuar kryesisht me serbë.

Safçiu, një nga tre satiristët më të njohur në Kosovën e pasluftës të njohur si ‘Stupcat’, në fakt po e rrëfente historinë dhe çastet e fundit të jetës së ish shoqes dhe koleges së tij, aktores Adriana Abdullahu, e cila u vra nga forcat serbe në Prishtinë më 22 mars 1999.

Pikërisht dy dekada më vonë, me lotë në sy, 48-vjeçari përkujton bërtimat e Adrianes dhe bërtimat e të tjerëve brenda kafenesë e cila atëbotë ishte pronë e Safçiut në lagjen Santea të Prishtinës, kur kallashnikovët më në fund pushuan së shtënuri.

Lufta po fillonte të merrte një drejtim tjetër në atë kohë, dhe orët policore po zbatoheshin në mënyrë rigoroze nga policia serbe në Kosovë, madje edhe në kryeqytet. Vetëm dy ditë më vonë, NATO filloi fushatën 78-ditore të bombardimeve që solli fundin e regjimit të Millosheviçit.

Pajisur me përvojë ushtarake nga koha kur ishte rekrut i Ushtrisë jugosllave gjatë viteve ’90, Safçiu shpejt e shpejt preku barkun dhe gjoksin e tij, për ta skanuar me gishtat e tij nëse ishte goditur nga breshëria e plumave. I paprekur nga të shtënat, ai vuri re se vetëm pjesa e sipërme e këmishës së tij ishte kapur nga plumbat; këtë këmishë ai vazhdon të mbajë si relikt të asaj nate të tmerrshme.

Por ankthi nuk u ndal me aq atë ditë.

“Vetëm po prisja kur [policia serbe] do ta thyente derën kryesore (të kafenesë) dhe të na ekzekutonte”, kujton Safçiu. Pak minuta më vonë, derisa ishte në gjendje shoku, aktori arriti të dilte nga kafeneja, duke u zvarritur poshtë njërës prej makinave të parkuara dhe i telefonoi një miku duke i kërkuar ndihmë. Atë natë ai humbi shoqen e tij, por pikëllimi pse nuk ishte kthyer ta shohë skenën e tragjedisë akoma vazhdon ta ndjekë shpirtin e tij, njëzet vjet më vonë.

Këto kujtime të hidhura të tragjedisë së humbjes së shoqes të tij kanë ndikuar në jetën e tij, në filozofinë dhe në punën e tij artistike. Pas luftës, Safçiu ështe përfshirë në shumë shfaqje teatrore dhe aktualisht po e teston veten edhe në industrinë e filmit jashtë vendit. Megjithatë, ai është i njohur për rolin e tij tek Stupcat, puna e të cilit është ndikuar edhe nga gjakderdhja e viteve ’90 dhe përvojat personale të Safçiut.

Stupcat kanë dalë në skenë në vitin 2002, me 5 anëtarë, duke u reduktuar në treshen e përbërë nga Safçiu, Vedat Bajrami dhe Osman Azemi në vitin 2004 – një treshe kjo që po qëndrojnë së bashku tash e 15 vjet. “Arritja më e madhe për mua është të qenit bashkë me dy miqtë e mi për të gjitha këto vite, sepse kemi kaluar nëpër shumë kriza, vështirësi, komplimente, tërmete dhe tsunami”, thotë Safçiu, duke e ilustruar këtë me një tallje në llogari të politikanëve kosovarë. “A nuk është një arritje fakti që jemi së bashku në art qe 17 vjet? Nuk mund ta gjesh ndonjë koalicion të partive politike në Kosovë i cili është në gjendje të përmbushë mandatin e plotë 4 vjeçar, edhpse premtimet e tyre janë t’i shërbejnë popullit “.

Në fakt, humori i Stupcave shumë shpesh është identifikuar pikërisht duke i bërë subjekt të batutave politikën edhe çështjet tjera shoqërore në Kosovën e pasluftës. Gjatë kohës së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Stupcat talleshin me atë atë që përshkruhej si një “përpjekje e rreme” për të përmirësuar marrëdhëniet dhe për të siguruar paqe mes shqiptarëve dhe serbëve, duke u tallur me reklamat që promovonin pajtimin dhe bashkëjetesën.

“Ti qifsha standardet e nanës”, shpërthen kësisoji në fund, anëtari tjetër i Stupcave Vedat Bajrami në rolin e Sahit Plisit, në njërin prej skeçeve duke shprehur pakënaqësinë e tij pse ishte paguar më pak sesa fqinji i tij serb Zhivko, një rol ky i luajtur nga Safçiu.

‘Standardet para statusit’ ishte një frazë që shpesh përdorej nga Bashkësia Ndërkombëtare, duke e normalizuar pikëpamjen se Kosova nuk mund ta përmbyllte çështjen e statusit politik para se të arrinte përmbushjen e disa ‘standardeve’. Mbrojtja e të drejtave të minoriteteve, veçanërisht të komunitetit serb ishte lart në listën e prioriteteve që duhej përmbushur. Kjo shprehje hakmarrëse e frustrimi, “Ti qifsha standartet e nanes“, shumë shpejt do bëhej pjesë e fjalorit të shqiptarëve të Kosovës.

Për Safçiun, mënyra se si procesi i pajtimit po shtyhej nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe Institucionet e Përkohshme të Kosovës, ishte një farsë në vetvete. “Pajtimi është një formalitet,” thotë ai. “Ka qenë gjithmonë i shpikur nga të fuqishmit. Në të kaluarën ata ishin burra pleqë me mustaqe. Tani janë shtetet që gjithmonë thonë: ‘Shtrini bre duart me njëri-tjetrin sepse jemi lodhur prej juve’ “.

Safçiu beson se ky “plaku me mustaqe” sot, konglomerati i shteteve të fuqishme, nuk duhet të ushtrojë presion mbi Kosovën, por në vend të kësaj duhet të synojë diçka tjetër. “Para së gjithash serbët duhet të pajtohen me veten e tyre për të bëmat e tyre në Kosovë, para se të pajtohen me ne.”

Pajtimi nuk është fusha e vetme në të cilën Safçiu mendon se Kosova duhet të marrë përsipër proceset e saja socio-politike. “Ne duhet të kemi ndjesi për çështjet që mbështesim dhe nuk bëjmë gjëra vetëm për shkak se ndërkombëtarët po e thonë këtë apo pse ata po paguajnë për to,” këmbëngul ai. “Pajtimi, të drejtat e grave, të drejtat e homoseksualëve apo krejt qenieve të tjera njerëzore janë çështje tonat dhe ne duhet të merremi me to për hir të vetvetës, e jo për hir të të tjerëve”.

Mensur Safciu – Foto- Atdhe Mulla

 

Në fakt, Safçiu e sheh këtë luftë si një pjesë ekzistenciale të asaj që Kosova duhet të jetë. “Ditën kur do ta kuptoj se vendi im është bërë i njëjtë ashtu siç ishte Millosheviçi për ne, unë do të largohem nga ky vend … Në fakt, jo, unë do të luftoj,” thotë ai. “Unë kurrë nuk do të doja të shihja njerëzit e kombit tim duke viktimizuar të tjerët. Për mua, koncepti i lirisë është kur unë mund të ofroj liri tjetrit “.

Rehabilitimi i shoqërisë?

Humori i Stupcave nuk ka patur vetëm synim aktorët ndërkombëtarë pas luftës së Kosovës. Në një numër skeçesh, Stupcat janë tallur edhe me komandantët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, veçanërisht me ata që përdorën të trashëgiminë e tyrë në të kaluarën si çlirimtarë për t’u pasuruar.

Humoristët u kritikuan ashpër për këtë dhe në vitin 2016 morën edhe kërcënime me vdekje në lidhje me një skeç i cili përshkruante me batuta kohën e luftës dhe disa pjestarë të UÇK-së. Nga organizata e veteranëve të UÇK-së skeçi është përshkruar si një “përdhosje e vlerave të UÇK-së”.

Por Safçiu këmbëngul se me parodinë e tyre ndaj disa individëve të UÇK-së, Stupcat po mbronin shumicën e cila po hesht. “Përmes atyre skeçeve, ne ruajmë luftëtarët e vërtetë të UÇK-së “, thotë ai. “Ata që kanë devijuar nga idealet – liria – nuk mund të na fajësojnë për humorin tonë”.

Pavarësisht kësaj, Stupcat vazhduan me krijimin e skeçeve për çështjet e ndjeshme që kanë të bëjnë me UÇK-në dhe ata që keqpërdorën të kaluarën e tyre, me Safçiun që më vonë luante rolin e një babai duke u përpjekur të e fuste djalin e tij të të në listën e veteranëve të Komisionit Verifikues të Veteranëve të luftës. Deri në vitin 2017, më shumë se 60,000 njerëz kishin aplikuar për statusin e veteranit, numër ky që është bërë temë e diskutimeve të mëdha dhe një hetim është në vazhdim e sipër kundër shumë njerëzve për të cilët besohet se në mënyrë të rrejshme përfitojnë pensione si ish luftëtarë të UÇK-së, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës me miliona euro.

 

Stupcat duke parodizuar politikanet e Kosoves. (Nga e Majta ne te djathte) Osman Azemi, Mensur Safciu dhe Vedat Bajrami. | Foto: Stupcat.

Për Safçiun, temat, të tilla si, korrupsioni dhe politikanët e pasur, janë përdorur në humorin e tyre për të treguar shkallën e lartë të varfërisë në mesin e popullsisë së Kosovës, e cila tejkalon 20 përqindshin, përderisa 8 përqind e popullsisë jeton në varfëri të skajshme. “Kosova është e vogël, sa një pordhë e vogël bre edhe mua nuk më duket e ndershme që njerëzit të jetojnë në varfëri”, thotë ai.

Nga perspektiva e Safçiut, kritika ndaj klasës politike e ka zgjatur hendekun mes tij dhe politikanëve në pushtet. Në një epokë kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka dekoruar 700 njerëz me medalje për kontributet e tyre, Safçiu ka një averzion absolut ndaj idesë së shtetit që e dekoron individin për punën e tij. “Unë kurrë nuk do të pranoj asnjë medalje nga presidenti,” thotë ai. “Unë kam një medalje që asnjë president nuk mund të më japë – medaljen e popullit. Unë nuk kam nevojë për medalje dhe dekorata pasi që unë jam një artist. Në momentin kur pranoj një medalje, unë veçse kam ecë”.

Mensur Safçiu – Foto – Atdhe Mulla

Megjithatë, ndërsa humori i Stupcave është admiruar gjerësisht në Kosovë, ky humor gjithashtu ka marrë kritika mbi këndvështrimet dhe metodat në të cilat ata kanë satirizuar grupe të tjera shoqërore. Sipas pikëpamjes së George Orwell, shkrimtarit të njohur britanik, qëllimi i humorit nuk është që të degradojë qenien njerëzore, por t’i kujtojë atij se tashmë është i degraduar.

Se në cilën anë të kësaj linje rreshtohen Stupcat, kjo është një temë që shpesh ngritet kur Safçiu luan rolin e tij të famshëm të ‘Agës Shneqë’, burri i ‘Tetes Gjyli’, rol ky i cili i nënshtrohet sulmeve të vazhdueshme psikolgjike dhe fizike. Për më tepër, Tetja Gjyli është një përfaqësim stereotipi i një amviseje kosovare e cila vetëm gatuan, shkon në dasma tradicionale dhe shpesh shfaqet si e paditur.

Safçiu hedh poshtë idenë se sulmet fizike ndaj Tete Gjylit mund të legjitimojnë dhunën ndaj grave në Kosovë apo se përfaqësimi i kësaj ideje përforcon pabarazinë. Ai e mbron punën e Stupcave dhe beson se ata kanë provokuar një debat duke ekspozuar dhunën dhe pabarazinë e grave në Kosovë.

“Aga Shneqë është një karakter dhe model se si gratë nuk duhet të trajtohen,” thotë ai. “Në laboratorin tim kam dashur të godasë diçka të keqe dhe të rishfaq një fenomen të keq, por shqiptarët, në vend të frustrimit, kanë vdekë duke qeshur me humorin tonë”.

“Gjatë humorit nganjëherë ne duhet të e bëjmë fenomenin sa më grotesk, t’i ekzagjerojmë problemet pak,” këmbëngul Safçiu. “Shuplakat dhe abuzimet e tjera brenda humorit tonë janë aty për tu treguar njerëzve se kush janë ata, dhe se si ata nuk duhet të jenë.”

Mensur Safçiu – Foto – Atdhe Mulla

Sipas Safçiut, qëllimet e tij personale me Stupcat ishin për të mbrojtur pjesët e margjinalizuara dhe më të dobëta të shoqërisë. “Ndoshta i nxitur nga e kaluara jonë, gjithmonë qëndroj pranë të dobëtit. Më pëlqen të jem sherif i cili mbështet të dobëtit. Unë mendoj se në këtë jetë kam arsye të mjaftueshme për të qenë me të dobëtit “.

Safçiu gjithashtu ka një besim të fortë në të mirat që sjell komedia si një forcë shtytëse për këtë. “Të qeshurit është një dhuratë që vetëm qeniet njerëzore dijnë ta ekzekutojnë”, thotë ai. “Për aq sa di unë, humori nuk është për të trajnuar muskujt e barkut. Është rehabilitim për shoqërinë. “

16 Mars 2019 - 21:55

Eraldin Fazliu 16/03/2019 - 21:55
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend