Bast - Foto: RTK

AFP: Shqipëria ndalon bastet më 1 janar 2019

Për një të keqe të madhe, Shqipëria ka një zgjidhje të madhe, pasi lojërat e fatit, burim të ardhurash për krimin e organizuar dhe drama për shumë familje, do të ndalohen duke filluar nga 1 janari.

Ky ligj i shoqëruar me polemika, do të sjellë mbylljen e 4 300 pikave të basteve, që sot janë të pranishme në çdo cep rrugësh.

”Në një vend me më shumë se 2,8 milionë banorë, ka afërsisht një pikë basti për 670 persona, një raport shumë i lartë”, thotë ekonomisti Klodian Tomorri, madje shumë më i lartë se sa në vendet fqinje apo vendet e zhvilluara perëndimore, transmeton atsh.

Ligji ndalon gjithashtu edhe bastet në internet dhe parashikon kufizime për kazinotë, disa prej të cilave ndodhen pranë shkollave.

Vetëm ato që ndodhen në hotelet me pesë yje në zonat turistike që kanë licencë mund të qëndrojnë hapur.

Për Artën, 31 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, vendimi është i mirëpritur, ndonëse po vjen shumë vonë për të shpëtuar familjen e saj nga drama.

Korrikun e kaluar, bashkëshorti i saj u hodh nga një godinë pasi humbi një bast në ndeshjen e futbollit Francë-Belgjikë, të fituar nga Franca.

“Ai vuri bast për Belgjikën, por në fakt ajo që morëm ishte mjerimi”, thotë Arta, me lotët në sy, tashmë e vetme për të rritur dy fëmijët e saj me një ndihmë sociale mujore prej 100 eurosh.

Sipas një studimi nga Universiteti i Tiranës, një bastexhi në katër ka tentuar të paktën një herë të vetëvritet dhe 70% kanë probleme psikologjike.

“Ekziston një lidhje e ngushtë mes lojërave të fatit dhe dhunës në familje, që sjellin një krizë shumë të rëndë në shumë familje”, thekson Iris Luarasi, e Këshillit Kombëtar të Asistencës për Viktimat e Dhunës.

Të humbasësh gjithçka

Ilir Musta, 35 vjeç, është nga ata që janë përballur me këtë lloji krize.

“Të luaje, në fillim ishte mirë, tani është një kancer. Kam humbur jetën, bashkëshorten, vajzën, jam një i vdekur që ecën”, thotë ky burrë me një zë që i dridhet, që i ka ndihmuar mjekut të tij ta ndihmojë.

Ai filloi të luante para dy vitesh, para se të gjendej i mbytur nga borxhet dhe të hynte në burg sepse kishte rrahur bashkëshorten që i kërkonte të ndahej.

Ashtu si kjo, shumë familje të tjera janë shkatërruar nga kjo varësi. Avokatja Vjollca Pustina e vlerëson në 70% nivelin e ndarjeve që lidhen me problemet e lojërave të fatit.

Qeveria ka njoftuar krijimin e qendrave të ndihmës për ish-bastexhinjtë, por hapja e tyre që në 1 janar duket e vështirë.

“Varësia ndaj lojërave është një sëmundje që duhet të trajtohet sapo të mbyllen bastet. Për momentin qendrat e rehabilitimit nuk janë ngritur ende”, thotë Menada Petro, profesoreshë e Shkencave Sociale në Universitetin e Durrësit.

Krimi i organizuar

”Sipas shifrave zyrtare, shqiptarët shpenzojnë mes 140 dhe 150 milionë euro në vit në bastet sportive. Por, nëse llogariten edhe bastet e jashtëligjshme, kjo shifër arrin në 700 milionë euro”, vlerëson qeveria.

Për kryeministrin socialist, Edi Rama, qëllimi është që të ndalohet krimi i organizuar nga realizimi i të ardhurave nëpërmjet kësaj industrie që e përdorin edhe për pastrimin e parave.

“Por, lufta (kundër krimit të organizuar) do të vazhdojë, sepse kriminelët ndryshojnë strategji”, ka deklaruar ai kohët e fundit në një intervistë në televizion.

Kontrollimi i vendeve të jashtëligjshme të basteve, kryesisht të faqeve në internet, është një prej betejave të para që do të vijojnë në të ardhmen.

“Kompanitë e basteve kanë filluar që tani të transferojnë bizneset e tyre në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në Kosovë për të vazhduar të qetë punën e tyre”, garanton Artan Shyti, president i federatës së kompanive shqiptare të lojërave të fatit.

Sipas atij, hyrja në fuqi e këtij ligji do të lërë pa punë rreth 8 000 persona.

“Autoritetet mundësuan zhvillimin (të qendrave të basteve) më pas vendosën papritur që t’i mbyllin pa bërë dallimin më të vogël mes bizneseve të pastra dhe atyre të dyshimta”, thotë me keqardhje Arjan Gumi, 47 vjeç, që drejton prej 16 vitesh një qendër të vogël bastesh në Tiranë.

“Është tragjike gjithashtu për familjet tona”, thotë ai, duke shpresuar se shteti do të mbajë premtimin se do të ndihmojë ata që do të gjenden pa punë./RTK