Afaristët Izraelitë Hulumtojnë Kosovën

Afaristët izraelitë sipas njoftimit për medie të Kuvendit po qëndrojnë në Kosovë për të njohur ambientin dhe mundësitë ekonomike të vendit, ndërsa kanë si iniciativë themelimin e Odës Ekonomike Izraelito-Kosovare.

“Kryetari Veseli foli për potencialin shumë të favorshëm njerëzor, lehtësirat ligjore dhe burimet e shumta natyrore që ka Kosova, e të cilat me ide të mira ekonomike mund të shndërrohen në gjeneratorë të zhvillimit ekonomik të vendit, hapje të vendeve të reja të punës dhe depërtim më të madh në tregun ndërkombëtar të prodhimeve kosovare,” thuhet në njoftim.

Afaristët izraelitë do të vlerësojnë ambientin për bërje biznesi në Kosovë dhe në bazë të vlerësimit të tyre pritet një vizitë më e zgjeruar e përfaqësuesve të kompanive të këtij vendi.

Këta afaristë u interesuan në mënyrë të veçantë për industrinë e ndërtimit dhe sektorin e bujqësisë, ndërsa kryetari Veseli theksoi se do të përkrahë të gjithë ata që me idetë e tyre kreative ekonomike nxisin zhvillim ekonomik.

Veseli u tha afaristëve se “agjenda ekonomike është agjenda kryesore në të cilën ai është angazhuar”.