Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Adiminstrata e Apelit Pretendon se e Respektoi Orarin e Punës

Valon Kastrati ishte ankuar dje në KALLXO.com duke thënë se nuk ka mundur ta dorëzojë një lëndë në Gjykatën e Apelit pasi që askush nga administrata nuk ishte në zyrë 20 minuta para përfundimit të orarit zyrtar të punës.

Mirëpo, përgjegjësi administrativ i Gjykatës së Apelit, Feriz Berisha, pretendon se ato që i ka thënë ankuesi nuk qëndrojnë aspak.

Sipas tij, në kohën për të cilën ka folur Kastrati të gjithë zyrtarët kanë qenë prezentë në Gjykatë.

“Deri në ora 15:50 zyrtarët kanë qenë në Gjykatë. Pikërisht në këtë kohë, pra në ora 15:50, punëtorët kanë filluar të përgatiten për të dalë ngase në ora 16:00 e kanë mjetin e transportit-autobusin. Autobusi ndalon pikërisht para derës së Gjykatës së Apelit”, thotë Berisha në një reagim të tij.

Sipas Feriz Berishës, kjo që po e thotë është fare e lehtë të verifikohet.

“Brenda dhe jashtë objektit të Gjykatës janë me dhjetëra kamera që pa ndërprerje regjistrojnë dhe ato regjistrime ruhen për periodë të caktuar kohore”, theksoi ai.

Berisha tha se ende pa ndodhur kjo ka menduar të bëjë kërkesë për të siguruar aparaturën e cila përmes shenjave të gishtërinjve evidenton orën e saktë të hyrjes dhe daljes së zyrtarëve nga vendi i punës.

Artikulli i djeshëm i publikuar nga KALLXO.com tha se është një arsye më tepër që tanimë të bëjë kërkesën dhe të insistojë që të sillet aparati në fjalë.

KALLXO.com raportoi mbrëmë për ankesën e Valon Kastratit, i cili u ankua se për shkak se nuk e gjeti askënd nga administrata u detyrua të kthehej në Gjilan pa kryer punë.

http://kallxo.com/permbaruesi-akuzon-administraten-e-apelit-per-mosrespektim-te-orarit/