Foto: Ilustrim

Abuzimi me të miturën nga Drenasi, arrestohet edhe mjeku i dyshuar për abortin

Në vazhdën e hetimeve rreth rastit të pretenduar të abuzimit seksual të një të miture nga Drenasi, në konsultim me prokurorin kompetent, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë vazhduar të ndërmarrin  veprime hetimore shtesë drejt ndriçimit të plotë të rastit.

Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore, sot është ftuar për intervistë edhe një i dyshuar tjetër për këtë rast (i treti në rastin e njëjtë) (me inicialet F.A – i cili nuk është zyrtar policor).

Pas intervistimit të këtij të dyshuari, të njëjtit më vendim të prokurorit i është caktuar sot në orët e mbrëmjes masa e ndalimit për 48 orë.

Arrestimi i të njëjtit nga hetuesit e Inspektoratit Policor është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “ndërprerje e palejuar e shtatzënisë”.

Me kërkesë të Inspektoratit Policor, zyrtarë nga Inspektorati Shëndetësor kanë kryer sot edhe një inspektim specifik në një ordinancë private mjekësore e cila pas këtij inspektimi është mbyllur për kohë të pacaktuar.

Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë deri në ndriçimin e plotë të rastit në koordinim me Prokurorinë kompetente, njofton IPK.