Ministri Arban Abrashi - Foto: Facebook

Abrashi: Nis Aplikimi i Pensionit Invalidor të Punës dhe Pensioni Familjar

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, përmes një postimi në “Facebook”, bëri të ditur se brenda disa ditësh do të fillojnë dy skema të reja pensionale.

Abrashi ka shkruar se grupet punuese kanë finalizuar javën e kaluar të gjitha procedurat e nevojshme që pensioni invalidor i punës dhe pensioni familjar të fillojnë së aplikuari.

Ministri Abrashi ka përshkruar edhe se çka nënkuptojnë këto dy pensione.

“Pensioni invalidor i punës nënkupton pension për personat që pësojnë lëndime në punë apo fitojnë sëmundje profesionale gjatë marrëdhënies së punës”, ka shkruar ministri në profilin e tij në “Facebook”.

“Ndërsa, pensioni familjar nënkupton pension i rregullt mujor për anëtarët e familjes në rast të vdekjes së të punësuarit, që ka qenë në marrëdhënie pune”, ka theksuar ministri.

“Këto dy skema të reja përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve dhe rrumbullaksojmë gamën e pensioneve, sikurse forcojmë pozitën tonë karshi marrëveshjeve ndërshtetërore në fushën e pensioneve”, ka shtuar ministri.

Po ashtu, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se në ditët në vijim opinioni do të njoftohet saktësisht se kur do të fillojë aplikimi i këtyre dy skemave pensionale.