Ilustrim

“Abi Çarshia” reagon ndaj rrëzimit të objektit, kërkon kompensim nga komuna

Investitori i qendrës tregtare ‘Abi Çarshia’ ka reaguar ndaj rrënimit që sot Komuna e Prizrenit i ka bërë një pjese të objektit.

Sot gjatë ditës Drejtoria e Inspektoratit ka filluar rrënimin e  një pjese për të cilën nuk ka leje ndërtimi.

“Abi Çarshia” është pronë e Irfan Fushës, ish- kandidat për deputet të PDK-së. Në anën tjetër, Komuna e Prizrenit po udhëhiqet nga Mytaher Haskuka që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një konferencë dhe deklarim publik avokati i Kompanisë “Abi Çarshia “ Engjëll Rexhepi ka thënë se të gjitha veprimet e ndërmarra nga inspektorati i Ndërtimtarisë janë veprime të kundërligjshme.

Ndërsa për ndaljen e këtyre veprimeve të kundërligjshme i njëjti thotë se kanë kërkuar asistencë nga organet e rendit të cilat sipas tij kanë refuzuar që t’i asistojnë.

I njëjti tha se prona në të cilin është e ngritur “ Abi Çarshia”  është pronë e Abi SH.P.K dhe jo pronë komunale,  duke ofruar si dëshmi fletën poseduese.

Me datë 18 korrik, një ditë para rrënimit avokati  i kompanisë tha se Abi SH.P.K  pranë Komunës respektivisht  Drejtorisë për Urbanizëm,  ka bërë aplikim për legalizim të objektit” Abi Çarshia” .

Sipas tij Abi SH.P.K. të gjtha veprimet e Drejtorisë i konsideron të kundërligjshme dhe se Komuna e Prizrenit do t’i kompensojë të gjitha dëmet që i kanë shkaktuar

Ai tha se rrënimi ka rrezikuar  edhe jetën e njerëzve, sepse në Objektin e “ Abi Çarshia”  nuk ka pasur ndërprerje të rrymës gjatë punimeve dhe nuk janë ndërmarr masat për mbrojtjen e perosnave që gjendeshin brenda qendrës tregtare.

I njëjti  tha se tash do të paraqesin Kallëzim Penal jo vetëm ndaj Drejtori të Inspektoratit Islam Thapi por ndaj të gjithë personave që kanë asistuar në këto veprime gjatë rrënimit.

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren i cili sot ka shkuar të rrënojë një pjesë të qendrës tregtare është penguar.

Sipas drejtorit Islam Thaqi, kjo qendër tregtare përkundër vendimit të MMPH për tejkalim te lejes ka vazhduar punën.

Thaqi po ashtu shton se drejtori e Inspektoratit dy here ka njoftuar Policinë e Kosovës për asistim dhe mundësim të qasjes në objekt, por ata kanë refuzuar me arsyen e pamundësisë operative.

“Inspektorati ka urdhëruar palën që të aplikojë për legalizim, por ka ndodhë e kundërta dhe përkundër vendimit të ministrisë kanë vazhduar të punojnë. Ne si drejtori e Inspektoratit me ligj obligohemi që të vazhdojmë procedurat inspektuese dhe kjo ka sjellë me një vendim të ri të rrënimit. Të gjitha institucionet janë mobilizuar për këtë vendim dhe tani po presim policinë që të na mundësojnë qasjen. Policia është ftuar nga të dyja palët dhe tash po presim. Ne e kemi ftuar policinë të vijnë edhe para se të vijmë ne, por ata kanë refuzuar me arsyen se nuk kanë mundësi operative që të na mbështesin sot. Kërkesa i është bërë policisë me shkrim dhe me gojë, lënda tash është në krime ekonomike”, ka deklaruar Thaqi

 

Historiku i problemit me leje në ‘Abi Çarshi’

Komuna e Prizrenit kishte nisur rrënimin e objektit në shtator të vitit të kaluar, mirëpo pronari i objektit ishte zotuar se do të bëjë vetë rrënimin e objektit me arsyetimin se duhet të ketë kujdes për mos-dëmtim të pjesës tjetër të objektit të njëjtë.

Në të njëjtin ditë, kur pronari i këtij objekti ishte pajtuar për rrënim të objektit pa leje, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë ka ndërhyrë duke e anuluar vendimin e Komunës së Prizrenit për rrënim.

Ky proces i rrënimit është përcjellë me akuza për politizim të çështjes e deri tek akuzat se ‘Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë vendime të jashtëligjshme’.

“Drejtoria e Urbanizmit dhe planifikimit hapësinor ka lëshuar leje të reviduar. Edhe pse me leje pas matjeve rezulton përafërsisht 35% e objektit të ndërtuar janë me tejkalim të lejes dhe në atë pjesë (zonë) ka plan të hollësishëm rregullativ ku objekti me tejkalime ka uzurpuar rrugën që është paraparë si pas planit të hollësishëm rregullativ. Më 31.07.2018 Drejtoria e Inspektoratit nxjerrë vendim për rrënim vullnetar sipas procedurave ligjore në afat 15 ditësh dhe palës i jep të drejtë që të ushtrojë ankesë”, kishte treguar Thaqi për KALLXO.com në muajin shtator.

Sipas Thaqit, pronari i objektit nuk e kishte filluar rrënimin vullnetar dhe për këtë arsye më datën 24 gusht, Drejtoria e Inspektoratit nxori vendim për ekzekutimin e rrënimit.

Ndërsa në datën e fillimit të rrënimit, pra më 27 gusht, Irfan Fusha ka dërguar ankesë në Komunë ku kërkohet shtyrja apo pezullimi i aktvendimit për rrënim. Në të njëjtën ankesë, Fusha e ka njoftuar Komunën se ka bërë ankesë edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me këtë çështje.

Në të njëjtën ditë, pra me 17 gusht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nxjerr vendim që e aprovon ankesën e pronarit Irfan Fusha dhe kërkona anulimin e vendimit të komunës së datës 31.07.2018 që kërkoi rrënimin vullnetar të pjesës së objektit.

Ky vendim është në një vijë me qëndrimin e investitorit.

“Organi i shkallës së dytë i MMPH-së, konstatoi se Aktvendimi me nr. 17-354-38-56-2, me datë 31.07.2008 të  Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren është i pabazë për shkak se investitori posedon leje ndërtimi. Ndërsa sipas procesverbalit nr 0004509, me datë 26.07.2018 të Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren mbi konstatimin e gjendjes faktike në terren është konstatuar si në vijim: ndryshimet janë bërë brenda kufijve të vijës rregullative, ndërtimore, urban”, thuhej në vendimin e ministrisë.

Ministria i ka kërkuar Komunës së Prizrenit që atë kohë të ndal procesin e rrënimit.

“Obligohet Drejtoria e Inspektorateve të mos ndërmerr asnjë veprim, ndërsa aneksi shtesë i ndërtuar pa leje në kuadër të objektit me leje të trajtohet sipas Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje”, thuhej në vendim.

Kujtojmë se sipas Drejtorit Komunal të Inspektorateve, kjo drejtori ka dërguar kallëzim penal ndaj Fushës.

“Vlen të theksohet se 05.07.2018 nga Drejtoria e Inspektorateve z.Irfan Fusha i është bërë Kallëzim Penal për heqjen apo dëmtimin të vulave apo shenjave zyrtare  neni 4141 te Kodit Penal të R.Kosovës  dhe për punime ndërtimore të kundër ligjshme neni 368 te kodit penal të R. Kosovës 04/L-82”, ka treguar drejtori i Inspektoratit.