Abelard Tahiri: Mosparaqitja në Gjykatën Speciale nuk i kontribuon shtetit të së drejtës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një postimi në Facebook ka reaguar për personat të cilët ftohen nga Gjykata Speciale për  krimet e luftës.

“Përkundër faktit se si shoqëri, ne kemi trashëguar krenarinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si luftë e pastër për çlirim, nga qarqe tjera ka pasur aludime për krime lufte, si rezultat i të cilave u shtrua nevoja për një gjykatë speciale për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë pretendimeve dhe për të zbardhur të vërtetën”, ka shtuar Tahiri.

Tahiri ka bërë thirrje tek qytetarët të cilët mund të jenë subjekt i paraqitjes në Gjykatë Speciale që të bashkëpunojnë.

Përmes një postimi në facebook, Tahiri ka thënë se mosparaqitja nuk i kontribuon shtetit të së drejtës.

“Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit tonë kushtetues, janë ndërtuar mbi standardet e avancuara të të drejtave të njeriut dhe nga këto dhoma nuk presim asgjë më pak sesa trajtim dinjitoz, respektim të plotë të rregullave dhe procedurave ligjore si dhe gjykime të bazuara ekskluzivisht mbi parimet më fundamentale të shtetit ligjor. Mbi këtë bazë, konsideroj dhe ftoj çdo qytetar të Kosovës që mund të jetë subjekt i paraqitjes pranë këtyre dhomave, që të mos evitojë në asnjë rrethanë bashkëpunimin me to sepse kjo nuk i kontribuon shtetit të së drejtës”, ka shkruar  Tahiri.

Ai tutje ka shtuar se vetëm duke bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara do të rikonfirmojmë luftën e drejtë dhe të pastër të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.