Abelard Tahiri i zhgënjyer me propozimet për rrogat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është shprehur thellësisht i zhgënjyer me propozimet për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që Komisioni për Administratën Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë përmes Projektligjit për Pagat.

Sipas Tahirit Komisioni është treguar tërësisht i paarsyeshëm dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat funksionon ndarja e pushteteve.

Tahiri ka ftuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mos aprovojnë rekomandimet e Komisionit, sepse ato paraqesin degradimin e sistemit të drejtësisë.

“Rekomandimet e Komisionit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë degraduese. Kjo qasje është në shpërputhje të plotë me përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve tona për fuqizimin e Sundimit të Ligjit”, ka thënë Tahiri.

Sipas ministrit gjyqtarët dhe prokurorët, që mbajnë mbi supe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, meritojnë një pagë të dinjitetshme, por ajo që është propozuar përmes Projektligjit paraqet një devalvim të thellë të kësaj perspektive.

“Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për ta bërë Sundimin e Ligjit dhe të gjitha komponentët e tij, përfshirë statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, një prioritet kombëtar jashtëzakonisht të nevojshëm, rekomandimi i Komisionit përmes Projektligjit të Pagave është një goditje e rëndë ndaj këtyre përpjekjeve”, ka thënë Tahiri,