Abdixhiku për shpenzimet e Veselit: Kanë paguar 600 dollarë për Hotel

Në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa nuk kaloi raporti për shpenzimet e tre mujorit të parë të Kuvendit të Kosovës. Anëtarët e komisionit nga opozita kritikuan shpenzimet e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli të bëra gjatë vizitave jashtë vendit.

Kryetari i komisionit Parlamentar, Lumir Abdixhiku kryetari i Kuvendit nuk duhet të marrë në vizita jashtë vendit 8 këshilltar.

“Nuk e kuptojë pse duhet të udhëtoj kryetari i Kuvendit më 8 këshilltar apo 7. Jemi vend i varfër nuk kemi llogari që shpenzojmë kaq shumë për vizita jashtë vendit”, tha Abdixhiku.

Ai ngriti si shqetësim edhe shpenzimet e bëra për akomodim.

“Jam befasuar kur e kam parë që shkojnë dhomë hoteli që kushton 600 dollar. Kish qenë mirë që Kuvendi të kursejë para, dhe të jep shembull. Kryetari i kuvendit ka punë jashtë, por duhet të shkoj më deputetë jo më staf mbështetës. Nuk mujmë me kërku ndihmë prej një vendi kur harxhojmë kaq shumë. Neve si komision na duhet që të kërkojmë që të bëhen këto vizita më pak të kushtueshëm”, tha ai.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqit, gjatë prezantimit të raportit tha së Kuvendi vetëm në 3 mujorin e parë të këtij viti ka shpenzuar mbi 2 milionë euro për mallra dhe shërbime.

“Për 3 mujorin e parë Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar 2 milionë e 200 mijë euro për mallra dhe shërbime. 1 milion e 575 mijë ka shpenzuar për paga ose 48.40 për qind e buxhetit edhe shërbime komunale rreth 82 mijë”, tha Krasniqi.

Deputetja Arbërie Nagavci theksoi se edhe drekat zyrtarë i kushtojnë shumë buxhetit të Kosovës.

“Po i shohim shumat e vizitave të zyrtarëve, por për çfarë i kanë bërë ato? Nëse i shohim të tjera, përveç tyre shohim edhe shpenzimet për dreka zyrtare që janë rreth 30 mijë euro edhe pa arsyetim nga stafi i kryetarit të Kuvendit me shuma të mëdha. Nuk do ta votojë këtë raport pasi buxheti po përdoret për luks të zyrtarëve”, u shpreh ajo.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku nuk i konsiderojë aq tragjike shpenzimet e kryetarit të PDK-së.

“Ne po e shohim qe kemi nevojë për lobime ndërkombëtare dhe çdo institucion duhet të lobojë përveç diasporës kemi nevojë edhe përfaqësimin e çdo institucioni të Kosovës. Nuk është mirë që të tërheqim vëmendje për këto shpenzime. E dimë që Kosova fatkeqësisht në aspektin ndërkombëtar nuk është në pozitën më të mirë, andaj nuk është drejtë vëmendja të shkojë në këtë drejtim”, tha Lushtaku.

Edhe deputetja tjetër e PDK-së, Hadërgjonaj e ka mbrojtur Veselin.

“Gjithmonë në këto raporte fokusi është retorikë. Kuvendi ka nevojë për më shumë udhëtime që me fuqizu marrëdhëniet dhe këto udhëtime është mirë që të shihet me më shumë më pozitivitet. Në raport shoh që janë të gjithë deputetët që shkojnë në këto vizita zyrtare. Deputetet janë më shumë nga opozita. Asnjë nuk kursehet që të mos shkojë po janë entuziastë”, tha ajo.

KALLXO.com ka raportuar për shpenzimet e kryeparalamentarit të Kosovës, Kadri Veseli.