Abdixhiku: Ekipi negociator u zhbë, me të edhe ekipet me nipër, dajë e akraba

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli Ekipin Negociator të jashtëligjshëm.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook, se edhe pse ekipi u zhbë, e bashkë me të ekipet me nipër, dajë e akraba, qeveria PAN vazhdon të mbetet në Kosovë.

Sipas tij, Ekipi Negociator ishte kushtëzuar me votimin e buxhetit, e votimi i buxhetit i siguronte jetë qeverisë PAN.

“Gjashtë muaj më parë, Ekipi Negociator i ishte kushtëzuar me votimin e buxhetit. Votimi i buxhetit i siguronte jetë Qeverisë PAN. Mosvotimi i tij nënkuptonte fund të skenës më të rëndë politike në vend. Buxheti ishte votuar. Në këmbim ishte ndërtuar një ekip me dhjetë burra e ca, që thonin se përfaqësonin Kosovën. Të dhjetë burrat bashkë s’përfaqësonin as 5-6% qytetarë. Kjo për ta kishte pak rëndësi”, ka shkruar Abdixhiku.

Tutje në reagimin e tij, Abdixhiku shkruan se me iniciativën e përbashkët të LDK dhe VV, Ekipi Negociator u shpall kundërshtues, duke thënë se dialogu nuk mund të kontraktohet dhe dialogun nuk mund ta udhëheq askush tjetër përveç qeverisë.

“Kjo njollë kapjeje do të harrojej tashmë po të mos votohej buxheti gjashtë muaj më parë. Sot Kosova do të kishte një Qeveri të re që s’fshihet rrugicave të Evropës në takim me Serbinë, por që e ballafaqon atë mençur e botërisht”, shkruan Abdixhiku në fund të reagimit të tij.