Abazi: Jemi kthyer në kohën e Rrahman Morinës

Idetë e presidentit të vendit në dialogun Kosovë-Serbi po shihen si një regres në mënyrën se si është zhvilluar dialogu deri më sot.

Analisti Haki Abazi i quajti të rrezikshme deklaratat e Thaçit mbi një ide të korrigjimit të kufijve që sipas tij nuk ka lënë zgjidhje tjetër përpos protestës.

“Kemi një president që pa mandat është duke përcaktuar koordinata të marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare. Jemi kthyer në kohën e Rrahman Morinës, e kemi përjashtuar bashkësinë ndërkombëtare nga dialogu. Protesta ka mbetë e vetmja formë ku sovrani e detyron përfaqësuesin politik me i tregu që je jashtë kushtetutës. Kemi regres në funksionimin e adminsitratës shtetërore. E kanë lanë edhe një vrimë të vogël, shpresa për liberalizim ku ikin edhe nja 150 mijë të rinj”, tha Abazi.

Në debatin e ‘Jeta në Kosovë’, Abazi pati kritika edhe mbi funksionimin e Kuvendit të Kosovës në këtë fazë që sipas tij nuk po kontribuon në ndaljen e presidentit në strategjinë e tij që prek kufijtë shtetëror.

“Ku jemi në gjendjen reale është vazhdimi i institucioneve pa efekt, ku njerëzit paguhen për me shku në Parlament, me sabotu veten në Parlament. Veç këtu te na ndodhë që në Parlament nuk shkon shumica. Presidenti shkon atje pa mandat. Ne kemi ardhur në pikën e 20 vjeçarit ku me vullnet të mirë kemi bërë dialog , kemi bërë negociata, më shumë kanë shku qeveritarët në Bruksel se nëpër katune me i matë hallet e qytetarëve”, tha Abazi.

Në anën tjetër, Bilall Sherifi, deputeti i partisë qeveritare NISMA Socialdemokrate tha se nuk i sheh zgjedhjet e reja si zgjidhje për situatën aktuale.

“Unë nuk thashë me e rrëzu Hashim Thaçin, unë thashë me e nxjerrë nga kjo loja. Dëmin e ka bërë presidenti dhe unë nuk mendoj që dalja është dalja prej qeverisë. Unë po them hajde të bëhemi bashkë, pozitë e opozitë. Ideja është që të bëjmë një delegacion dhe platformë të përbashkët”, tha Sherifi.

Përballë Jeta Xharrës për temën e protestave, diskutojnë Lutfi Haziri nga Lidhja Demorkatike e Kosovës, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, Bilall Sherifi nga NISMA Socialdemokrate dhe Haki Abazi , analist.