Abazi: Familjet e Varfra Detyrohen ta Përdorin Qymyrin për Ngrohje

Haki Abazi, themelues i institutit KOSID konsideron se ndalesa e përdorimit të qymyrit si mjet ngrohjeje nëpër amvisëri është e vështirë.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Abazi konstatoi se familjet që jetojnë në varfëri në Kosovë nuk kanë alternativë tjetër përpos ngrohjes me qymyr.

“Ndërmjet 13 dhe 15 për qind e njerëzve në Kosovë jetojnë në varfëri të skajshme. Sigurisht që edhe për brenda Prishtinës… duke pasë parasysh pasigurinë e të hyrave në familje ne ndodhemi në situatë ku familjet janë të sforcuara, detyruara që të përdorin formën më të lehtë edhe më të lirë për ngrohje”, tha Abazi.

Përballë Jeta Xharrës, Abazi po ashtu tha se nuk ekziston një vetëdije lokale dhe individuale lidhur me dëmet që vijnë nga qymyri.

“Jo shpesh dhe jo gjithmonë individi mendon për aspektin katastrofik global, po nisja bëhet në rreth individual”, tha Abazi.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, këtë javë iu kushtua diskutimit mbi alternativat për ngrohje dhe ndotjes së ambientit.

Pjesëmarrës në debat ishin edhe Antigona Ukëhaxhaj nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik, Albena Reshitaj, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Valdrin Lluka, ministër i Ekonomisë.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: