Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

AAK S’e Merr Seriozisht Deklaratën e Kadri Veselit

Megjithatë, në AAK thonë se kandidati i vetëm për ta drejtuar Qeverinë është Ramush Haradinaj dhe se i besojnë 100% marrëveshjes së arritur.

Gjatë diskutimit me elektoratin e PDK-së në Skenderaj, kryetari i PDK-së tha se do të jenë djemtë e Drenicës ata që do të udhëheqin me Qeverinë, ani pse ka një marrëveshje ndërmjet PDK-së dhe AAK-Nisma, se personi që do ta udhëheq ekzekutivin në rast fitoreje do të jetë Ramush Haradinaj.

“Ka kaluar koha kur djemtë e Drenicës nuk e udhëhiqnin shtetin. Ata do ta udhëheqin shtetin e Kosovës, me president, me Qeveri dhe Kuvend”, citohet të ketë thënë Veseli sipas komunikatës së PDK-së.

PDK-AAK-Nisma kishin arritur marrëveshje parazgjedhore në minutat e fundit para se të kalonte afati për certifikimin e koalicioneve dhe janë pajtuar se kandidat për kryeministër do të jetë Haradinaj.

Mirëpo, deklaratës së Veselit nuk ia ka frikën nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ai për KALLXO.com tha se tashmë dihet kush është kandidat për kryeministër dhe se këta deklarata nuk janë thënë seriozisht.

“Dihet kush është kandidat i nominuar, ai është z. Haradinaj dhe nuk ka asnjë mëdyshje që z. Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës dhe çdo deklaratë nga kushdo që vjen nuk besoj që e ka seriozisht”, tha Pal Lekaj.

Madje, Lekaj e ka falënderuar Veselin për mundësinë që i ka dhënë Haradinajt për të qenë kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit PAN.

“Ramushi mund të jetë i Drenicës, i Deçanit, i Dukagjinit e i Llapit. Ramushi është i të gjithëve”, shtoi ai.

“Nuk ka tradhti, nuk ka asnjë gjasë minimale që të ketë një diçka të tillë, nuk ka asnjë shans minimal. Kjo nuk do të ndodhë. Unë nuk e komentoj deklaratën e z. Veseli sepse e di që ka qenë shumë korrekt në krahasim me z. Haradinaj. Ne i besojmë plotësisht, 100% i besoj marrëveshjes dhe s’ka alternativë tjetër”, tha Lekaj për KALLXO.com.