Debat Pernime, Kamenicë. Foto: Kallxo.com

AAK Përkrah Kandidatin e VV-së në Kamenicë

AAK-ja në Kamenicë do ta përkrahë Qëndron Kastratin, kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të kësaj komune në balotazhin e 19 nëntorit.

Lajmin për këtë përkrahje e bëri të ditur në një postim në Facebook, Faton Jakupi, kandidati i AAK-së për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet e 22 tetorit.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës -dega Dardanë, me shumicë votash mori vendim që në garën e balotazhit për zgjedhjet e 19 nëntorit ta përkrahë kandidatin e VV z.Qendron Kastrati”, shkroi Faton Jakupi në Facebook.

Ai më tutje  njoftoi edhe “të gjithë antarësinë e AAK-së se nga sot vazhdojmë ta bëjmë rrugën së bashku me Vetëvendosjen!”.

Në zgjedhjet e 22 tetorit Faton Jakupi fitoi 2553 vota, ose 14,41 për qind të votave të atyre që dolën në zgjedhje në Kamenicë.

Për të parin e Kamenicës në garën e balotazhit janë Qëndron Kastrati i Vetëvendosjes dhe Shaip Surdulli i LDK-së.

Qëndron Kastrati fitoi 5970 vota, ose besimin e 33,69 për qind të atyre që votuan, ndërsa Shaip Surdulli kishte 5102 vota, ose 28.79 për qind të votave të atyre që shfrytëzuan të drejtën e votimit.