AAK nuk do të kandidojë për zgjedhjet në komunat veriore

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë vendim që të mos ketë kandidatura në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave: Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveqan.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të dërguar për media, përcjellë rtv21.tv.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të jetë e përkushtuar që procesi i zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave: Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan, të jetë konform standardit të normave demokratike dhe në përputhje me rregullat e përcaktuara me ligj për zgjedhje të lira e të ndershme. Pas konsultimeve të zhvilluara me udhëheqjet e Degëve tona në këto komuna, AAK ka marrë vendim që të mos ketë kandidatura në këto zgjedhje dhe votuesit e saj, do të jenë krejtësisht të lirë të mbështesin kandidatë më të mirë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike e partiake!”, thuhet në njoftim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna të Republikës së Kosovës do të mbahen më 19 maj 2019.

Katër kryetarët e komunave veriore kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar si përgjigje ndaj taksës prej 100% për Serbinë./21Media