AAK, Nisma dhe PSD e dërgojnë në Kushtetuese Thaçin për KQZ-në

Tri Grupet Parlamentare, ai i AAK-së, Nisma Socialdemokrate dhe PSD-së mbështetur edhe nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit, Hashim Thaçi për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi tha se presin nga gjykata që t’i japin të drejtë në këtë çështje.

“Sapo dërguam ankesë në Gjykatën Kushtetuese për të sfiduar vendimin e presidentit të Kosovës, përkatësisht dekretin e tij që ka të bëjë me emërimin e anëtareve të KQZ-së. Ne e konsiderojmë që ka shkel të drejtat tona si grupe parlamentare, për këtë arsye e kemi sfidu këtë gjë tek gjykata. Presim që të na japë të drejtë në atë që e kemi ngritur. Ne mendojmë që dekreti nuk është në përputhje me kushtetutën”, tha Sherifi duke shtuar se kjo temë nuk e lëkund koalicionin.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha se Thaçi siç i ka kërkuar emrat në fillim, ashtu edhe është dashur t’i dekretojë anëtarët e KQZ-së.

“Zyra e presidentit ka kërkuar nga grupet parlamentare t’i dërgojnë emrat e anëtarëve të KQZ-së, ne i kemi dërguar të gjithë dhe konsiderojmë që bën shkelje pse pikërisht nuk është zbatuar ajo kërkesë e presidentit për t‘i dekretuar të gjithë anëtarët sipas grupeve”, tha ai.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu tha se më këtë ankesë po sfidohet edhe pluralizmi jo vetëm shkeljet ligjore.

“Një detaj që është më rëndësi është pluralizmi. Në këtë pikë në frymën e asaj që duam të ndërtojmë një demokraci plurale, ku të gjitha grupet parlamentare janë të përfaqësuara ashtu siç parashihet me kushtetutë. Në këtë dokument/ankesë që e kemi bërë në Gjykatën Kushtetues edhe një prej betejave tona është që këtë betejë të luftojmë edhe pluralizmin”, tha Sejdiu.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar tetë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me 28 mars të këtij viti, pas një viti vonesë.

Këto emërime kanë zhbllokuar punën e këtij organi, i cili për më gjatë se një vit ishte jofunksional, pikërisht për shkak të mungesës së anëtarëve.

Vonesa e presidentit Thaçi për këto emërime pasoi reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ku mes tjerash thuhej se “dështimi për t’i bërë emërimet, e ka lënë KQZ-në të paaftë për të kryer funksionet e saj themelore”.

Nga tetë anëtarët e rinj, dy janë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dy nga Lëvizja Vetëvendosje dhe katër nga komunitetet jo shumicë.

Ndërkaq, aty mungojnë edhe përfaqësuesit e partive politike në pushtet. Këto të fundit, kërkojnë nga presidenti që në KQZ, të përfaqësohen si parti politike dhe jo si koalicion, ngase përfaqësimi si koalicion, i privon disa prej tyre që të sigurojnë ulëse në këtë organ.

https://kallxo.com/pas-nje-viti-vonese-presidenti-dekreton-anetaret-e-kqz-se/

www.kallxo.com