AAK kërkon zgjedhje pas dorëheqjes së Kryeministrit

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradina jpak minuta më parë ka thënë, se ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së tij.

Haradinaj para gazetarëve afër selisë së AAK-së, tha se këtë ia ka kërkuar edhe Presidentit të Kosovës.

“Presidenti i ka kompetencat e veta. Unë i kam propozuar dhe kërkuar presidentit dhe vendit që të shkojë në zgjedhje menjëherë. Mandati është më i sigurt te populli në këtë rast. Populli le të vendos pastaj qytetarët se si të veprohet. Do të garoj do të ofrohem, me ato programe qeverisëse. Do ta respektoj verdiktin e popullit”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se i ka njoftuar edhe partinë e tij dhe partnerët e koalicionit për dorëheqje ndonëse shkresat zyrtare do t’ua përcjell ditëve në vijim.

“Motivin e dini. Jam i ftuar si i dyshuar në gjykatën e re tash që është formuar, për intervistim. Do të ishte shumë e rëndë të shkoja si kryetar i qeverisë. Do të ishte një poshtërim edhe i Kosovës, edhe i nderit të kryetarit të qeverisë. Shkoj si qytetar, tash jam kryeministër në dorëheqje”, tha ai.

Haradinaj ka njoftuar për dorëheqjen e tij pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, duke bërë të ditur se është ftuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

 

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.