AAK-ja Paralajmëron Protesta Nëpër Komuna

Në një konferencë për gazetarë lideri i AAK-së Ramush Haradinaj paralajmëroi nisjen e protestave edhe nëpër komunat tjera të Kosovës.

“AAK konfirmon se do të vazhdojë kundërshtimin e marrëveshjeve në dhe jashtë parlamentit. Por edhe ni risi: manifestime në qendra të Kosovës. I pari në Gjakovë, të shtunën në orën 13:00 opozita e bashkuar çon atje deputetët,” tha Haradinaj.

Haradinaj komentoi edhe zhvillimet e djeshme në Kuvend dhe manifestimin e 28 nëntorit.

“Dje ditë e ranë, po jo e vetmja, i parapriu edhe e shtunja në dy pjesë. Pjesa e mirë manifestimi dhe pjesa e keqe ndërhyrja në selinë e Vetëvendosjes. Dhe zhvillimet e djeshme e kanë sjellë situatën në ni pikë kritike në ven,” tha Haradinaj.

I pyetur nga gazetarja e KALLXO.com se pse u largua nga manifestimi i së shtunës kur nisi të flasë Albin Kurti, Haradinaj tha se tubimi opozitar në kohën kur ai u largua e kishte arritur qëllimin.

“U realizua qëllimi i manifestimit, u zgjat fjalimi dhe qëndrimi më tutje ishte i panevojshëm,” tha Haradinaj.

Ai tregoi edhe pse nuk mori pjesë në kundërshtimin e arrestimit të Kurtit. “Dakordim që nuk do të reagojmë në ditën e festës. Dakordim i përbashkët,” tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së pati porosi edhe për qeverinë.

“Këto dy marrëveshje nuk kalojnë, le ta marrë vesh qeveria se nuk mund ta disiplinojë Kosovën. kanë me u habitë me qëndrueshmërinë,” deklaroi Haradinaj.