Zyrtarë të AAK-së në Pejë - Foto: KALLXO.com

AAK Akuzon Muhaxherin për Keqqeverisje

Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë ka kritikuar pushtetin komunal për keqqeverisje.
Shef i grupit të asamblistëve të AAK-së në Kuvendin Komunal, Blerim Nikçi, tha së qeverisja aktuale është duke punuar në shpërputhje me interesat e qytetarëve.

Sipas AAK-së, koalicioni qeverisës LDK-PDK është duke punuar për interesa klanore. AAK akuzon pushtetin e Pejës në pothuajse të gjithë sektorët.

“Qytetarët e komunës tonë nuk do t’i harrojnë Gazmend Muhaxherit premtimet e pambajtura, dështimet në projektet e infrastrukturës, dështimet në shërbime publike, dështimet në realizimin e premtimeve për bujqësi, dështimin total në zhvillimin ekonomik. Turizmi në komunën tonë nuk është duke u zhvilluar”, tha Nikçi.

Në këtë konferencë, zyrtarët e degës së AAK-së thanë se të gjitha skandalet e krijuara në Komunën e Pejës janë si rezultat i interesave klanore dhe punonjësve joprofesionistë.

Por, zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj, tha se akuzat e AAK-së janë të pabaza dhe joserioze.
Zefaj theksoi së qeverisja komunale në krye me Gazmend Muhaxherin po merret me realizimin e projekteve madhore që janë në interes të qytetarëve.

“Ata akuzojnë që kryetari nuk po merret me projekte të mëdha. Unë nuk e di që projekte më të mëdha se të punosh për qendrën e skijimit Borea, është një projekt mega i madh. Pastaj po bëhet zgjerimi i rrugës Pejë-Prishtinë, po rregullohet çarshia e gjatë. Po rregullohen digat nëpër fshatra për ujitjen e tokave të punueshme”, theksoi Zefaj.

Zëdhënësi i Komunës u përgjigj edhe rreth akuzave të AAK-së për turizmin. Sipas tij, viteve të fundit në ketë qytet numri i turistëve po shumëfishohet.