Kulla në aeroport | Foto: KALLXO.com

AAC pret që të rregullohet sa më shpejt statusi i punëtorëve të kontrollorëve ajrorë

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror, për rregullimin e statusit të veçantë të këtij sektori dhe ndërprerjen e grevës.

“Është për t’u vlerësuar gatishmëria e ministrit Lekaj, për të siguruar mbrojtje dhe avancim të statusit të nëpunësve të sektorit të aviacionit civil në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e AAC-së.

Sipas AAC-së, nëpunësit e AShNA-s dhe AACK-së ushtrojnë detyra shumë specifike për të cilat nevojitet përgatitje e veçantë arsimore, përvojë e theksuar, aftësi dhe shkathtësi individuale, të cilat vlerësohen nga institucione evropiane të aviacionit civil.

“Prandaj, presim që sa më shpejt të rregullohet statusi i veçantë i nëpunësve të sektorit të aviacionit civil në pajtim me kërkesat dhe standardet evropiane”, vazhdon njoftimi.

Më herët gjatë ditës, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka njoftuar se greva e kontrollorëve ajror ka marrë fund, pas përfshirjes së tyre në Ligjin e pagave.

Përfundimi i grevës është arritur pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit nga kjo ministri dhe Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror.

https://kallxo.com/perfundon-greva-e-kontrolloreve-te-trafikut-ajror/