FOTO: ANP "Adem Jashari"

AAC grumbulloi 257 mijë euro nga taksa për sigurinë e pasagjerëve

Raporti i auditorit për vitin 2017, për Autoritetit e Aviacionit Civil (ACC) ka rezultuar me vetëm një rekomandim për këtë autoritet.

Auditori ka identifikuar dobësi në përgatitjen e pasqyrave financiare vjetore, për të cilët kreu i këtij autoriteti është pajtuar dhe zotuar se do t’i adresoj.

Vonesat në procedurat e prokurimit dhe dorëheqja e dy zyrtarëve gjatë vitit ka ndikuar që ACC t`i teprojnë mijëra euro mjete të planifikuara.

Nga marrëveshja me “Limak Kosova Adem Jashari”, ACC ka arritur të grumbullojë mbi 257 mijë euro në vitin 2017.

ACC gjithashtu ka arritur t’i adresoj të gjitha rekomandimet e auditorit nga raportet paraprake.

Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm, buxheti final i Autoritetit të Aviacionit Civil (ACC) për vitin 2017 ishte 892 mijë e 327 euro, ku nga ky buxhet, ACC shpenzoi 839 mijë e 595 euro, apo 94 për qind që paraqet një rënie prej 6 për qind në krahasim me vitin 2016.

Raporti i auditimit ka identifikuar dobësi në përgatitje të Pasqyrave Financiare Vjetore (PFV), pasi sipas konkluzionit të auditorit, përgatitja e pasqyrave financiare mund të ishte menaxhuar në mënyrë më cilësore. Auditori ka rekomanduar që pasqyrave financiare duhet të bëhet një analizë dhe rishikim para se ato të dorëzohen në Ministrinë e Financave

“Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës dhe Drejtori i Përgjithshëm duhet të sigurojnë se është bërë një analizë për t’i përcaktuar shkaqet lidhur me prezantimin jo të duhur të buxhetit final dhe donacioneve të pashpenzuara në PFV. Deklarata e bërë nga ZKA dhe ZKF nuk duhet të dorëzohet në Ministri të Financave, përveç nëse ndaj PFV janë aplikuar të gjitha kontrollet dhe rishikimet e nevojshme”, thotë Auditori.

Dorëheqja nga puna e dy zyrtarëve gjatë 2017-ës rezultojë me tepricë të mjeteve të planifikuara për paga dhe mëditje.

“Për kategorinë e pagave dhe mëditjeve kishte ndryshime në mes të buxhetit fillestar dhe atij final për 30,000€, kjo kishte ndodhur për arsyeje të kursimeve buxhetore. Teprica e mjeteve financiare në fund të vitit (18,565€) në raport me buxhetin final ishte si pasojë që dy (2) zyrtarë kishin dhënë dorëheqje gjatë vitit 2017 dhe nuk ishin plotësuar ende këto pozita me staf të rregullt”, thuhet në raport.

Vonesat në procedurat prokurimit nga ana e AQP ndikuan që për shpenzimet për mallra dhe shërbime ACC-së t’i teprojnë mijëra euro.

“Reduktimi i buxhetit për mallra dhe shërbime ishte 2,948€ me vendime të qeverisë për kursime. Teprica e mjeteve financiare në fund të vitit ishte 26,919€ në raport me buxhetin final, kjo kishte ndodhur si rrjedhojë e vonesave në zhvillimin e aktiviteteve dhe lidhja e kontratave nga ana e AQP-së në periudhën e fund vitit 2017. Realizimi i buxhetit final për këtë kategori ishte 88%. Dhe realizimi i buxhetit final në kategorinë e shërbimet komunale ishte 47%. Teprica e mjeteve financiare në fund të vitit ishte 7,248€ në raport me buxhetin final, kjo ka ndodhur si rezultat i zvogëlimit të shpenzimeve të telefonisë fikse”, thuhet në raport.

Në anën tjetër AAC-ja në planin e prokurimit për vitin 2017 kishte planifikuar 8  proceduara të prokurimit që ishin realizuar nga AQP-ja.

ACC ka arritur të grumbullojë të hyra mbi 257 mijë euro nga marrëveshja me “LIMAK Kosovo Adem Jasharit”

“Struktura e llogarive të arkëtueshme përbëhet nga tarifa e sigurisë së pasagjerëve, gjithsejtë 257,434€, të cilat mblidhen sipas marrëveshjes në mes të Koncesionit ’LIMAK Kosovo Adem Jashari’ dhe AAC të cilat transferohen 45 ditë pas përfundimit të muajit në buxhet të Kosovës. Lëshimi i certifikatës për organizata trajnuese 2,000€, tarifa për ripërtëritjen e licencës 1,150€ dhe gjobat 800€”, tregon raporti.

Për adresimin e rekomandimeve, Auditori thotë se autoriteti ka arritur t’i adresoj të gjitha rekomandimet e dhëna në raportet paraprake.

“Deri në fund të auditimit tonë për vitin 2017, rekomandimet e dhëna nga ZKA për vitet 2016 dhe 2015 janë zbatuar në tërësi nga ACC-ja”, thotë Auditori.

Lidhur me të gjeturat e Auditorit, drejtori i AC-së  është pajtuar, dhe siç tregohet në raport i njëjti është zotuar se do i ndërmarrin masat lidhur me adresimet që dalin nga raporti për vitin 2017-të.

“Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil kanë marrë në konsideratë dhe janë pajtuar me të gjeturat dhe konkluzionet e auditimit, si dhe janë zotuar se do t’i adresojnë rekomandimet e dhëna”, thuhet në raportin e ZKA-së për Autoritetin e Aviacionit Civil.