A pati ndikim Milan Radojçiq në shkarkimin e drejtorit të AKP-së?

Anëtari i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit nga Lista Serbe që votoi për shkarkimin e drejtorit të kësaj dyshohet se u ndikua nga nënkryetari i partisë Milan Radojçiq.

Bordi i AKP-së më 26 tetor votoi mocionin për shkarkimin e Hajdarit, ndërsa pas kësaj pasoi dorëheqja e kryetarit të këtij bordi, Petrit Gashi.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Hajdari tha se ende nuk i kupton arsyet e shkarkimit të tij pasi sipas tij anëtarët e bordit ishin shfaqur të kënaqur me punën e tij.

Specifikisht Hajdari foli për Ranko Gjokiq, anëtar i bordit që vjen nga Lista Serbe për të cilin tha se është habitur që ka votuar për shkarkimin e tij.

“Edhe ky anëtar i bordit për mu është çudi për votën e tij”, tha Hajdari.

Ai shtoi se është për tu ardhur keq nëse ka pasur ndikim nga Milan Radojqiq që njihet si njeri i fuqishëm në veri dhe është nënkryetar i Listës Serbe.

“Mëkati më i madh dhe aty ku do ndihesha rëndë është fakti që qohet dikush prej Prishtinës dhe ja bën një kërkesë Milan Radojçiqit ose kushdo çoftë ai dhe prej Mitrovicës me pas ndikim në një agjencion të pavarur me pas aj ndikim në një vendim të këtij niveli”, tha Hajdari.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, lidhur me këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga anëtarët e bordit të AKP-së dhe nga vetë Milan Radojçiq.

Radojqiqi në përgjigjen e tij tha se as nuk ka qenë i informuar për shkarkimin e Hajdarit.

“Xhokiqi e ka lirinë me votu si të dojë vetë dhe ashtu ka bërë. Unë bile as fare nuk e kam ditur që është shkarkuar Hajdari sepse nuk mirrem me çështje të vogla”, tha Radojqiq.

Në mocionin e anëtarëve të Bordit të AKP-së , janë radhitur shtatë arsye për të mbështetur shkarkimin e Ekrem Hajdarit.

Kurse Hajdari ka kthyer përgjigje të detajuar në secilin prej pretendimeve të anëtarëve të Bordit.

Hajdari përballë Jeta Xharrës flet për punën e tij në AKP si dhe komenton edhe punësimet e avancimet me lidhje politike në AKP.

Emisionin e plotë mund ta ndiqnin në linkun e mëposhtëm: